31 Korrik, 2019 - 8:30 pm
Teatri i Vjenës solidarizohet me artistët dhe qytetarët, që janë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Deklarata e artistëve nga Vjena e publikuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, bën me dije se artistët e qytetarët luftojnë për ruajtjen e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar.
“Artistë/artiste dhe qytetarë/qytetare të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë marrë në dorë Teatrin Kombëtar në Tiranë për ta mbrojtur nga shembja. Ndërtesa u rrethua nga policia dhe u zhvilluan përballje të drejtpërdrejta. Kur aktivisti i Aleancës Ervin Goci vizitoi Teatrin Popullor në kuadër të festivalit Nëntori Shqiptar, ai raportoi për protestat në kryeqytetin shqiptar, të cilat atëherë kishin muaj të tërë që zhvilloheshin.
Artistët e qytetarët luftojnë për ruajtjen e ndërtesës historike të teatrit dhe protestojnë sidomos kundër ndërtimit të planifikuar të teatrit si pjesë e një kompleksi të përbërë nga ndërtesa të larta dhe një qendre tregtare, gjë që do të çonte në humbjen e hapësirës publike rreth Teatrit Kombëtar. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim ende mungon”, thuhet në deklaratën e Teatrit të Vjenës, që u publikua nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Teatri Popullor i Vjenës vijon se solidarizohet me njerëzit e teatrit në Shqipëri dhe protestat, të cilat tashmë zgjasin prej më shumë se një viti dhe i mban gjallë përkushtimi dhe kreativiteti, dëshmojnë për rëndësinë e madhe që Teatri Kombëtar historik ka për njerëzit e teatrit dhe publikun, për qytetarët e qytetaret e shumta të Tiranës.
“Në këtë vend në qendër të qytetit është bërë vazhdimisht teatër, që prej 70 vitesh. Është një vend i ballafaqimit të gjallë artistik dhe shoqëror. Vende të tilla janë pafundësisht të çmuara, për artin sikurse edhe për shoqërinë e qytetit dhe ato i përkasin komunitetit. Një traditë që shkatërrohet një herë është e humbur në mënyrë të pakthyeshme. Ne mbështesim protestat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kundër mospërfilljes të strukturave të rritura në të mirë të interesave private komerciale, duke e ditur që kjo protestë na përket edhe neve njerëzve të teatrit në vende të tjera. Le të shpresojmë që Teatri Kombëtar historik do të arrijë të mbrohet!”, thuhet në deklaratën e Teatrit të Vjenës publikuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.