11 Gusht, 2019 - 2:30 pm
Historia e Komnenëve të epokës Bizantine është e lidhur me një sërë ngjarjesh e shekujsh me historinë shqiptare. Por padyshim, figura më e madhe e kësaj epoke ishte Aleksi I-rë, babai i kronistes bizantine Ana Komnena, autores së kronikës së famshme Aleksiada, ku në 15 libra, ajo tregon historinë e perandorisë dhe të atit të saj.
Në fakt, Aleksi I-rë (1058-1118), kishte qënë një strateg i madh ushtarak dhe në kohën e trazirave në Kosntantinopojë, ai përfitoi të marrë pushtetin, por jo përmes vrasjeve “byzantine” në prapaskenat e përgjakshme. Ai u bë perandor më 1 prill të vitit 1081 dhe historianët e mbajnë si një perandor të zgjuar e mjaft diplomat, i cili bëri aleanca me perandorinë gjermane, Papën e Vatikanit, venedikasit gjenovezët dhe fuqi të tjera, duke përfshirë këtu dhe turqit që po vinin në skenën e historisë.
Për të mbajtur fort pushtetin në krye të një perandorie të fuqishme për 37 vjet me rradhë, bëri shumë martesa familjare me princët më në zë të epokës së tij. Ai u shqua veçanërisht gjatë luftës me normandin Robert Guiscard, të cilësuar nga bashkëkohësit “Terror Mundi” (Tmerri i Botës); gjatë luftës kundër Bohemondit, birit të Robertit, kalorësi më i lavdishëm i kësaj epoke në Perëndim, duke e detyruar t’i nënshtrohet dhe të pranojë “Paqen e Devollit”, që hyri në histori me emrin “Traktati i Devollit”, duke u shquar njëkohësisht në kohën e lançimit të Kryqëzatës së parë, nga Papa Urban II, kur senjorët më të mëdhenj të Evropës perëndimore, morrën rrugën drejt brigjeve të Ilirisë e pastaj Stambollit e që andej drejt varrit të Krishtit në Jeruzalem.
Ai arriti të vihet pothuaj mbi të gjithë princat kristianë dhe të përfitojë një monopol politik të jashtëzakonshëm. Pas luftës së parë kundër Robertit para bedenave të kështjellës së Durrësit, dhe humbjes së tij, ai i luftoi normandët dhe në jugun shqiptar, në Janinë. Tregimi i Ana Komnenës në librin Aleksiada për luftën e Aleksit në fushën e Durrësit janë një burim i jashtëzakonshëm për historinë tone, libër ky që është përkthyer tashmë dhe do të botohet së shpejti. Por le tu referohemi më mirë disa prej fragmenteve të kronistes së famshme për atin e saj Aleksi I-rë dhe aventurën shqiptare./Konica.al
Shfaqja e kometës
«Betejën e zhvilluar në rrethinat e Dyrrachium-it midis trupave byzantine e shqiptare dhe nga ana tjetër trupave normane, Komnena e përshkruan në kapitullin me titull “Beteja. Fitorja e normandëve”. E habitshme është se kronistja thotë se në çastin e fillimit të luftës, në qiell ishte shfaqur një kometë. Ja çfarë shkruan ajo në këtë episod: «Meqë Roberti nxitonte të ndërtonte një kullë tjetër prej druri, të ngjashme me të parën dhe të përgatiste “heleopoles” kundër Dyrrachium-it, basileus, i bindur për nevojat që kishin mbrojtësit e Dyrrachium-it dhe që të ndihmoheshin ata me urgjencë, vazhdoi rrugën drejt Dyrrachium-it. Kur arriti aty, ai e vendosi ushtrinë në një kamp pranë lumit që quhej Charzane (Erzeni?) dhe menjëherë i dërgoi mesazhe Robertit, duke i kërkuar se përse gjëndej aty dhe çfarë qëllimi kishte. Pastaj ai shkoi në vëndin e shenjtë, sanktuarin, e ngritur për nder të priftit Nikola, katër stade larg Dyrrachium-it. Ai filloi të njihej me terrenin me qëllim që të gjente vëndin më të përshtatshëm për të vendosur trupat e tij dhe se kur duhej ta niste betejën. Ishte data 15 tetor. Ishte një shpat që ngrihej nga ana e Dalmacisë drejt detit, atje ku ajo përfundonte pothuaj në formë ishulli, mbi të cilin ishte ndërtuar një tempull, lidhur me çka shkruajta më sipër. Ai shpat që vështronte nga Dyrrachium, ulej gradualisht drejt fushës, duke patur detin në të majtë dhe një mal që ngrihej thikë në të djathtë. Pikërisht atje, Aleksi përqëndroi ushtrinë e tij dhe pasi ngriti kampin, i dërgoi një mesazh Gjergj Paleologut. Paleologu, i cili kishte një experiencë të madhe në situata të tilla, mendoi se nuk ishte e udhës të dilte nga qyteti dhe refuzoi të dilte, duke u justifikuar kështu për këtë te basileusi. Por kur ai e kërkoi sërrish me ngut, Paleologu iu përgjigj: “Më duket fatale të dal nga qyteti i rrethuar dhe nëse nuk shoh me sy unazën e dorës së Madhërisë suaj, unë nuk do të dal”. Atëherë atij iu dërgua unaza dhe kur e pa atë, atëherë Paleologu u nis të bashkohej me basileusin, duke shkuar me një anije lufte. Sapo basileusi u gjënd ballë tij, ai e informoi rreth Robertit dhe kur ai i paraqiti qartë situatën, basileusi e pyeti nëse duhej rrezikuar që të bënte luftën kundër Robertit apo jo. Paleologu donte që ai ta ndryshonte mendimin e tij për të bërë një betejë. Po kështu dhe të tjerë që kishin përvojën e betejave, të cilët u shprehën kundër fillimit të betejës dhe se duhej pritur që armiku të dëmtohej gradualisht me goditje të vogla, duke i penguar luftëtarët e Robertit, të cilët kërkonin të dilnin për të gjetur ushqime dhe tagji për kafshët. Njëkohësisht i duhej dhënë urdhër Bodin-it, dalmatëve dhe prijësve të tjerë të krahinave fqinje, duke u siguruar në këtë mënyrë se kështu do të ishte e lehtë që Roberti të mundej. Por shumica e oficerëve të rinj të ushtrisë së tij preferuan të nisnin betejën kundër Robertit dhe më shumë nga ata, Konstantin Porfirogjen, Niqifor Sinadenos, Nampites, komandanti i Varanges-vet si dhe bijtë e ish basileusit roman, Diogène, Léon dhe Niqifor (Bryenne). Dhe kështu, ambasadorët që iu dërguan Robertit u kthyen me mesazhin që ai i drejtonte basileusit. “Unë nuk kam ardhur këtu kundër teje, – i thoshte ai, – por më tepër për tu hakmarrë për padrejtësinë e bërë ndaj vjehrit tim. Nëse do paqe me mua, këtë e mirëpres me padurim, por nëse do të jesh gati të përmbushësh kushtet me të cilat do të njohin ambasadorët e mij”. Por ajo që kërkonte ai ishte e pamundur dhe e dëmshme për perandorinë romane edhe pse premtonte se nëse ia plotësonte kushtet, ai do ta konsideronte Longobardi-en e tij si të ishte tokë e basileusit dhe se në rast nevoje ai do t’i vinte për ndihmë. Por kjo ishte veçse një manovër, se gjoja donte veç paqe, ndërkohë që duke bërë propozime të pamundura për tu plotësuar dhe që do të refuzoheshin, ai kërkonte të përdorte armët dhe t’ia hidhte pastaj përgjegjësinë e luftës basileusit dhe romanëve. Në fakt, kur këto propozime të papranueshme u refuzuan, ai kishte thirrur gjithë kontët e tij dhe u kishte thënë: “Ju e dini padrejtësinë e bërë nga basileusi Niqifor Botaniates ndaj vjehrit tim dhe fyerjen që provoi vajza ime Helenë, e cila u përzu nga perandoria bashkë me të. Ne nuk mund ta durojmë këtë dhe ja pse kemi ardhur në këtë vend që të hakmerremi kundër Botaniates. Por ky është përmbysur nga froni dhe tani ne kemi të bëjmë me një basileus të ri, një luftëtar kurajoz që e njeh luftën dhe ka eksperiencë më shumë se mosha e tij, dhe ku ndaj të cilit ne nuk duhet të angazhohemi me operacione të vogla ushtarake. Vetëm atje ku është shumica e komandës, atje mbretëron dhe konfuzioni, sepse atje ku ka shumë mendime të ndryshme për betejën, atje mbillet dhe kaosi. Duhet që tashmë, ne të tjerët t’i bindemi veç një prijësi, i cili duhet të marrë mendimin e gjithësecilit, që të mos veprojë me teka dhe me kokë të tij pa pyetur të tjerët. Gjithë të tjerët duhet t’i thonë mendimet e tyre me sinqeritet, duke zbatuar pastaj mendimin e atij që do të jetë zgjedhur si prijës. Shikomëni mua: unë jam gati dhe i pari që do t’i bindem atij që do të zgjidhni ju!” Atëherë të gjithë e lëvduan ketë ide dhe deklaruan se Roberti kishte folur drejt. Pastaj me një vendim unanim ata i dhanë atij rolin e prijësit. Duke u lutur, Roberti bëri një çast sikur nuk e donte këtë përzgjedhje, por të tjerët, akoma më me këmbëngulje, kërkuan që ai ta pranonte. Dhe ai bëri sikur ishte i detyruar të pranonte kërkesat e tyre, edhe pse ai e kishte menduar me kohë këtë projekt. Ja çfarë tha ai në tërësi të fjalës së tij: “Kuptojeni mirë idenë time ju kontë dhe gjithë ju të tjerët e kësaj ushtrie. Ne lamë shtëpitë tona për të ardhur këtu dhe tani duhet të luftojmë kundër basileusit, i cili është një luftëtar me shumë kurajo. Edhe pse ka ardhur para pak kohësh në pushtet, ai ka fituar shumë beteja nën drejtimin e basileusve të tjerë, të cilëve u ka dorëzuar robërit më të rrezikshëm. Pra ne duhet të bëjmë një luftë me të gjithë energjitë tona. Nëse Zoti na jep fitoren, neve nuk do të na mungojnë paratë. Ja pse ne duhet t’i djegim të gjitha baullet tona, t’i fundosim anijet tona dhe t’i çojmë ato në fund të detit, duke u bërë luftë armiqve tanë sikur të kemi lindur dhe të vdesim po sot”. Të gjithë e aprovuan këtë fjalim të tij… Të tilla ishin kalkulimet e planet e Robertit. Ndërsa planet e autokratorit, edhe pse të ndryshme, ato ishin më të zhdërvjellta dhe të zgjuara. Megjithatë, të dy prijësat po i mbanin ushtritë duke studjuar taktikat dhe manovrat e tyre, çka u lejonte të drejtponin operacionet dhe të komandonin me kompetence. Duke menduar gjatë natës për të dy krahët e kampit të Robertit, autokratori urdhëroi gjithë ushtrinë aleate të sulmonin në shpinë të kampit, pasi të bënin rrugën e shkëmbenjve të kripores. Që të mos diktohej afrimi i ushtrisë, pa hezituar, ai caktoi një rrugë më të gjatë që duhej përshkuar, ndërsa vetë qëndroi në qëndër. Sapo pa që erdhën gjithë aleatët, i shpërndau në postet e caktuara për të sulmuar Robertin. Guiscardi, pasi i kishte lënë tendat e kampit, gjatë natës kishte kaluar urën. Ishte data 18 tetor. Me gjithë ushtrinë e tij, Aleksi shkoi tek tempulli që kishte ndërtuar dikur në breg të detit, për nder të martirit Theodore. Duke kërkuar të shkonte përgjatë gjithë natës, normandët u bashkuan me shpirtra të shenjtë. Roberti e vuri ushtrinë në formacion beteje dhe vetë u vu në qëndër. Krahun në anë të detit, ia besoi Amicetas, i cili ishte një kont i shquar, me dorë dhe zemër kurajoze, ndërsa krahun tjetër, birit të tij Bohemond, të quajtur Sanisque.
Kur perandori u njoh me këtë situatë, i shkathët siç ishte për të gjetur një zgjidhje dhe në momentet më të vështira, ai iu përshtat rrethanave dhe i vendosi trupat në pjerrësinë që shkonte drejt detit. Meqë e kishte ndarë ushtrinë në dy pjesë, ai nuk donte t’i pengonte barbarët që po shkonin të sulmonin kampin e Robertit, por mbajti vetëm ata që mbanin mbi supe armët me dy teha si dhe prijësin e tyre Nampites. Ai u tha të zbrisnin nga kali dhe të ecnnin në rresht përballë, jo larg nga fronti. Të gjithë mbanin mburoja. Pasi e ndau pjesën tjetër të ushtrisë në falanga, perandori u vendos në qëndër. Në të djathtë, si prijës të falangës caktoi princin Niqifor Melisene dhe atë që quhej Pakurianos, i cili ishte “domestiku i madh”. Distanca midis tij dhe barbarëve që ecnin në këmbë, ishte mbushur nga një kontigjent i fortë ushtarësh të shkathët që gjuanin me shigjetë, me të cilët do të sulmonte Robertin. Në fakt, ai e kishte urdhëruar Nampites që sapo shigjetarët të sulmonin mbi keltët, ai të shkonte pastaj nga prapa që të lejonte kalimin, duke i hapur të dy anët, dhe pastaj t’i bashkonte sërrish, duke ecur përsëri me rradhë të shtrënguara. Pra, pasi i vendosi kështu të gjitha trupat e tij, ai përparoi vetë në ballë për të sulmuar drejt mbi ushtrinë kelte, duke ndjekur bregun e detit. Nga ana e tyre, barbarët, të cilët i kishte dërguar të kapërcenin karrierat e kripës, sapo mbrojtësit e Dyrrachium të hapnin portat sipas urdhërit të autokratorit, në të njëjtin moment ata do të suleshin mbi trupat kelte. Ndërkohë, që të dy prijësat e ushtrive armike mes tyre, marshonin kundër njëri tjetrit. Roberti dërgoi një detashment kavalerie me urdhërin që të bënin të largohej sa më larg një pjesë e ushtrisë armike. Por basileus nuk e la veten të binte në grackë. Për më tepër ai përforcoi barrierat që duhej të përballonin sulmin armik. Deri në këtë moment, ndodhën veç disa përpjekje të vogla luftarake midis tyre. Por Roberti qëndronte i qetë dhe në lidhje me komandantët e tij, ndërkohë që distanca midis dy ushtrive zvogëlohej gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, këmbësorë e kalorës të falangës së Amicetas u hodhën dhe sulmuan në anët e trupave të Nampites. Përballë rrezistencës së madhe të luftëtarëve tanë, sulmuesit kthyen shpinat, pasi jo të gjithë ishin ushtarë elite. Ata nxituan drejt detit, me ujin deri në grykë, duke iu afruar flotës romano-veneciane. Ata u kërkuan që t’i shpëtonin, por venecianëtnuk i pranuan. Pikërisht atëherë, ashtu siç dhe flitej, Gaita, gruaja e Robertit, e cila luftonte bashkë me të shoqin, ashtu si një Pallas tjetër, edhe pse nuk ishte një Athina, duke pare luftëtarët e tyre tek i iknin betejës, me një vështrim të zëmëruar, ajo u thirri me një zë kumbues, duke u thënë në gjuhën e tyre diçka të përafërt me vargjet e Homerit: ”Deri kur do t’ia mbathni kështu? Ndaloni dhe bëhuni burra!…” Meqë ata vazhdonin të iknin para syve të saj, ajo kapi një heshtë të gjatë dhe gjithë britma, u lëshua duke i ndjekur nga pas. Duke parë këtë skenë, luftëtarët e mblodhën veten dhe iu kthyen betejës. Ndërkohë ata që ishin me sopata dhe prijësi i tyre Nampites, pa eksperiencë dhe me vrullin që i kishte kapur, përparuan shumë dhe tashmë ja tek gjëndeshin larg rradhëve të romanëve, të shtyrë kështu nga dëshira që të jenë po aq me kurajo sa dhe keltët. Kur Roberti i pa që tashmë ata ishin lodhur dhe po u merrej fryma nga distanca e madhe dhe pesha e armëve, ishte i sigurt se tani fundi i tyre do të ishte i shpejtë. Atëherë ai i dha urdhër një detashmenti këmbësorie që të suleshin mbi ta. Por nga lodhja, ata ishin më të dobët se keltët. E kështu, gjithë ajo trupë barbarësh u masakruan dhe ata që mundën të iknin, u strehuan në tempullin e kryestrategut Mihal, (Shën Mihalit). Të gjithë ata që mundën, u futën brënda. Të tjerët u ngjitën sipër në çati, duke pandehur se atje ata ishin të sigurtë. Por latinët i vunë flakën dhe bashkë me tempullin u dogjën të gjithë. Megjithatë, pjesa tjetër e ushtrisë romane luftonte me trimëri kundër armikut. Por Roberti, si një kalorës me flatra, bashkë me trupat e tjera u sul mbi falangat romane, duke i shpartalluar ato. Në krahun e kundërshtarëve, disa ranë duke luftuar në fushë të betejës, të tjerët, duke ia mbathur për të shpëtuar. Basileus Aleksi qëndronte si një kullë e fortë dhe e patundur, edhe pse kishte humbur shumë nga shokët e tij, luftëtarë të shquar për nga soji dhe përvoja luftarake. Atje ra p.sh. Kostandin Dukas, biri i ish basileus-it Konstandin Dukas, i cili lindi kur i ati nuk ishte më një njeri i zakonshëm, e për këtë shkak, ai lindi në «porphyra» dhe u nderua nga i ati me diademën imperiale. Po kështu Niqifori, i mbiquajtur Sinadenos, i familjes Botaniates, një ushtar plot kurajo dhe shumë i bukur, i cili atë ditë u përpoq t’ua kalonte gjithë të tjerëve për nga trimëria e që të dy, bashkë me Konstandinin, flisnin për martesën e ardhshme me motrën e tij. Gjithashtu ra në betejë dhe Niqifori, babai i Paleologut si dhe personazhe të tjera të shquara. Zaharia u godit për vdekje në gjoks dhe menjëherë dha frymën e tij të fundit. Ranë dhe Aspietes dhe ushtarë të tjerë të elitës së ushtrisë. Por beteja ndërkohë nuk po mbaronte dhe basileus vazhdonte të rrezistonte gjithnjë. Atëherë tre latinë u shkëputën, njëri prej të cilëve Amicetas, tjetri Pier, biri i Alifa-s, siç ka thënë vetë ai si dhe një luftëtar tjetër, po aq i zoti si ata. Duke lënë kuajt me kapistrat e tyre dhe duke tundur heshtat e gjata, ata u sulën kundër Aleksit. Amicetas qëlloi drejt tij, por nuk e goditi, pasi kali i basileusit u largua disi. Aleksi e largoi heshtën e tjetrit me shpatën e tij dhe me të gjitha forcat e goditi kundërshtarin në klavikul, duke ia këputur gjithë gjymtyrën. Në çastin kur luftëtari i tretë e sulmoi përballë, me vendosmëri dhe një forcë shpirtërore ku asgjë nuk e trëmbte më, në sajë dhe të mëndjes së tij të mprehtë, ai e kuptoi menjëherë se ç’duhej të bënte : në momentin kur tjetri goditi, ai u shtri me kurriz mbi vithet e kalit. Sapo tehu i heshtës e preku lehtë lëkurën e trupit, duke u ndalur nga cepi i kaskës së hekurt, ai e këputi rripin që e fiksonte nën mjekër dhe e hodhi né tokë. Por kelti vrapoi drejt tij duke e pandehur të çarmatosur. Por papritur perandori u ngrit mbi shalë dhe u ul mirë mbi tëpa lëshuar asnjë nga armët e tij. Duke e mbajtur shpatën në dorën e djathtë, i mbulur nga një pluhur i përskuqur nga gjaku i tij, me kokën e zbuluar dhe flokët e kuqërremta që i tundeshin mbi fytyrë, duke rimarrë forcat, ai vazhdoi tu rrezistonte armiqve. Megjithatë, ai pa nga turqit që po largoheshin, madje dhe aleati Bodin, i cili nuk ishte përpjekur fare të hynte në betejë. Në fakt, ky i fundit i kishte ngjeshur armët për luftë dhe i kishte rradhitur forcat në rresht-betejë, por ai kishte qëndruar kështu gjatë gjithë kohës, sikur të donte ta ndihmonte basileusin veçse në rast nevoje, sipas marrëveshjes që dhe kishin bërë. Sigurisht ai priste nëse fitorja do të shkonte nga ana e perandorit, që pastaj t’i propozonte atij që të sulej mbi keltët. Ndryshe, ai do të abstenonte dhe do të luftonte duke u tërhequr. Këtë mendim të tij e tregoi dhe qëndrimi konkret i tij. Sapo ai kuptoi që fitorja ishte në duart e keltëve, ai u tërhoq pa bërë as dhe betejën më të vogël. Kur autokratori pa se askush nuk po vinte në ndihmë të tij, edhe ai i ktheu krahët betejës. Atëherë, latinët u sulën pas tij, duke ndjekur pas ushtrinë romane.
Ikja e e bazileusit Aleks
Kur Roberti kishte pushtuar tempullin e Shën Nikollës ku gjëndej dhe tenda imperiale dhe gjithë bagazhet e ushtrisë romane, të gjithë ushtarët që kishte, ai i hodhi në ndjekje të basileusit. Vetë qëndroi aty ku ishte, duke imagjinuar se autokratori do të ishte kapur tashmë rob. Ishin këto mendime që i kishin pushtuar shpirtin e tij krenar. Pra ushtarët u hodhën gjithë vrull në gjurmë të basileusit, gjer në vëndin e quajtur nga banorët vëndas, Kakepleura. Basileusi ishte poshtë në vendin ku rridhte lumi i quajtur Charzane dhe ku në anën tjetër kishte një shkëmb të lartë që binte thikë. Pikërisht atje e gjetën keltët. Ata e qëlluan me heshta nga ana e majtë, duke bërë që ai të përkulej djathtas. Ishin nëntë keltë. Ai sigurisht do të binte, nëse nuk do të bënte kujdes që të mbështetej mbi shpatën e vendosur në tokë, të cilën e mbante me dorën e djathtë. Për më tepër, maja e mamuzeve të këmbës së majtë, e ngulur në cepin e mbulesës së shalës, që quhet “lipostroma”, e bëri më të vështirë rënien e kalorësit. Me dorën e majtë ai tërhoqi cepin e shalës dhe kështu arriti të mbahej. Si gjithnjë, ai u ndihmua nga një fuqi hyjnore, çka papritmas i solli shpëtimin nga armiqtë e tij. Nga e djathta iu shfaqën keltë të tjerë, që flakën mbi të heshtat e tyre, por duke u kapur mbi njërën prej tyre, heroi ynë qëndroi në ekuilibër midis heshtave që shkonin mbi të. Dukej vërtet si një spektakël i habitshëm, pasi ata që ishin majtas përpiqeshin ta rrëzonin, ndërkohë që keltët e tjerë në të djathtë hidhnin shigjetat mbi të, sikur të qëllonin përballë luftëtarëve të tyre. Por Aleksi, pasi mori forcë dhe u ngrit mbi kalin e tij, duke e shtrënguar atë midis këmbëve dhe shalës së tij, dha një prove tjetër trimërie. Por edhe kali me atë mbulesë të purpurt, që dallohej për fuqi e shkathtësi të veçantë, pati atë forcë që duhej vërtetë për luftë. (Në fakt, ai ia kishte marrë atë Bryene-it, atëherë kur e kapi në betejë e sipër, kur në fron ishte perandor Niqifor Botaniates). Pra, për t’i rënë shkurt, i ndihmuar nga fati hyjnor, ai papritur kërceu e çau përpara duke u gjëndur në majë të shkëmbit, sikur të kishte fluturuar lehtësisht, e po ta themi në mënyrë mitologjike, sikur të kishte krahët e Pegas-it. Bryenne e kishte quajtur këtë kalë Sgurices. Ndërkohë që heshtat e barbarëve binin, disa prej tyre qëlluan bosh. Të tjerat, duke shpuar mburojën e perandorit qëndruan aty të ngulura. Duke u larguar, shigjetat ndiqnin pas kalin. Por perandori i këputi menjëherë këto shigjeta që kishte përreth tij. Edhe pse gjëndej në rrezik të madh, ai e ruajti gjakftohtësinë, ashtu siç ndodhte kur merrte vendimet e tij. Por shpejt ai zgjodhi rrugën e tij më të mirë dhe shpëtoi për mrekulli. Keltët mbetën gojëhapët dhe të hutuar para asaj që po ndodhte. Padyshim kishte pse të habiteshin, meqë po e shikonin Aleksin tek ikte nëpër një shteg tjetër. Dhe ata u vunë pas tij. Por pasi u ktheu kurrizin ushtarëve që e ndiqnin për një kohë të gjatë, ai u kthye një çast kundër njërit prej tyre dhe i nguli heshtën në gjoks. Tjetri ra përmbys në tokë. Basileusi u kthye përsëri mbi shalë dhe morri rrugën e tij të parë. Nga pas iu vunë një mori e madhe keltësh, të cilët i kishin përzënë trupat romane. Kur ata e panë së largu, shtrënguan rradhët dhe ndaluan, si për të shlodhur pak kuajt e për ta kapur atë të gjallë, në mënyrë që t’ia çonin Robertit si plaçkë lufte. Aleksi po u ikte atyre që e ndiqnin dhe ja kur pa të tjerë para tij, duke i humbur të gjitha shpresat se mund të shpëtonte. Megjithatë i mori forcat dhe duke pikasur në qëndër të tyre një burrë, që për nga paraqitja dhe shkëlqimi i armëve iu duk si Roberti, kur tjetri po e qëllonte me heshtë, ai iu vërtit sipër megjithë kale. Por ishte autokratori që fillimthi e goditi atë me heshtë, e cila i hyri tjetrit në gjoks, duke i dalë pastaj nga shpina. Barbari ra në tokë menjëherë, u rrotullua dhe dha shpirt nga plaga vdekjeprurëse që kishte marrë. Meqë tani ai e kishte thyer rreshtin e armiqve, basileusi u sul me galop, duke çarë përpara e duke shpëtuar me vdekjen e barbarit. Sapo të tjerët panë shokun e tyre të binte në tokë i plagosur, ata nxituan drejt trupit të tij të shtrirë duke u kujdesur për të. Kur normandët panë atë grup ushtarësh që ndiqnin basileusin, ata zbritën nga kuajt dhe duke e njohur të vrarin, filluan të vajtonin dhe të godisnin gjoksin. Ky njeri, edhe pse nuk ishte Roberti, ishte megjithatë një nga më fisnikët dhe ndihmësit e tij. Ndërkohë që ata merreshin me të, basilesi kishte ikur përpara./Konica.al
Gjatë këtij tregimi, (për shkak të natyrës historike dhe madhështisë së këtyre bëmave), unë harrova se ky njeri ishte im atë. Dëshira ime është që të mos lë të dyshohet për këtë histori, pra që e shtyrë nga pasioni të mos i ekzagjeroj ngjarjet. Plutôt au ciel që të jem në fakt e lirë dhe larg këtij pasioni për atin tim, me qëllim që duke trajtuar këto ngjarje të pasura me gjuhën time, të mund të tregoj pa pengesë dhe të vlerësoj aksionet e mëdha. Por dëshira ime është e fshehur në arësyen e kësaj dashurie natyrore, pasi nuk dua të kem pamjen se po i jap publikut rastin se po nxitoj të flas për njerëzit e mij dhe se po shkruaj përralla. Në kujtimet e shpeshta që kam për tim atë, në këtë libër historik, dua të shmang çdo retorikë të zbukuruar. Ja pse sikur të isha një diamant apo gur i pandjeshëm, unë përjetoj vuajtjet e tim ati, që të mund të meritoj emrin e dashur të tij. Për këtë, mu desh të betohem si ai djalosh për të cilin flet Homeri, (pasi nuk jam më pak e mirë se ai), kur thoshte: “Jo nga Zeus, Agélas dhe nga vuajtjet e tim ati”. Le të m’i lënë mua pafatësitë e tim ati, që ta admiroj e ta qaj atë më lotë, dhe le të vazhdoj tregimin e historisë sonë.
Pas kësaj ngjarje, keltët u kthyen te Roberti. Kur i pa ashtu duarbosh dhe mësoi se ç’kishte ndodhur, i shau rëndë të gjithë, madje njërin prej tyre, prijësin, e kërcënoi se do ta rrihte me kamzhik, duke e cilësuar si një luftëtar frikacak dhe gdhë. Dhe ky luftëtar, i cili nuk ishte hedhur drejt shkëmbit me kalin e tij dhe që pasi e kishte hedhur nga kali, nuk kishte arritur ta kapte rob Aleksin për t’ia sjellë Robertit, tani priste të vuante torturat e fundit. Roberti, ishte një njeri shumë trim e kurajoz ; ai ishte gjithashtu dhe një njeri që e kishte zemërimin në flegrat e hundës dhe zemrën të gufuar me urrejtje ndaj armikut, të cilin mendonte gjithnjë se duhej ta përshkonte me heshtën e tij, ose të vdiste duke e këputur siç thuhet, fillin e jetës. Megjithatë, ai luftëtar, të cilin Roberti po e qortonte aq rëndë, i tha se shkëmbi ishte shumë i lartë, se ishte thikë dhe tepër i rrezikshëm për tu ngjitur. Askush nuk mund të ngjitej në këmbë apo me kalë pa një ndihmë hyjnore. Jo vetëm në kohë beteje dhe në luftë e sipër, por dhe në një kohë tjetër, të përpiqeshe t’i ngjiteshe atij shkëmbi ishte e pamundur. «Por nëse dikush është i aftë të ngjitet, jo vetëm pa krahë, por edhe me krahë, jam gati të vuaj dhe torturat më të mëdha dhe të dënohem si një njeri i ulët». Kjo gjuhë e bëri ta admirojë atë dhe ta habisë, duke e qetësuar inatin e Robertit, i cili zemërimin e ktheu në admirim.
Pasi kishte përshkuar shtigjet e rrezikshme të maleve përreth, nga shtigje të pashkelura gjatë dy ditëve e netëve, basileusi, arriti në Ohër. Gjatë rrugës, ai kapërceu lumin Charzane dhe ndaloi në vëndin e quajtur Babagora, në një qafë ku kalohet me vështirësi. Mendimet e tij nuk ishin tronditur as nga humbja dhe as nga fatkeqësitë e betejës, madje as nga dhimbja e plagës që kishte marrë në fushën e betejës. Por shpirtërisht, ishte i vrarë nga vdekja e luftëtarëve të tij, rënë në betejë, veçanërisht ata që kishin rënë në mënyrë heroike. Megjithatë ai mendonte veç për qytetin e Dyrrachium-it dhe i vinte keq që ai qytet kishte mbetur pa prijës, pasi Paleologu nuk kishte mundur të hynte përsëri, meqë beteja filloi shumë shpejt. Megjithatë, ai kishte mundur të siguronte shpëtimin e banorëve: gardën e akropolit ia kishte besuar prijsave venecianë që kishin ardhur aty, (një i quajtur Domenico, sipas Malaterra-s), ndërsa pjesën tjetër të qytetit ia ishte lënë Kamiskortës, me origjinë shqiptare, të cilit me letër i kishte dhënë porositë për masat që duhej të merrte… »
Por ç’ndodhi më vonë? Sipas kronikave të ndryshme, Aleksi shumë shpejt arriti të mbledhë trupa të tjera dhe të luftojë në Janinë, një vit më vonë. Në këtë betejë, Aleksi kishte përgatitur karro me heshta të mprehta që të thyente pararojën e Bohémondi-t, i cili zakonisht sulmonte gjithnjë në qëndër, por i informuar për këtë përgatitje të bizantinit, normandi sulmoi nga krahët dhe perandori u tërhoq i thyer. Më pas, ai u përpoq të ndeshej me normandët edhe në Arta, por e kishte të pamundur të përballonte furinë normande. E vetmja rrugë ishte kthimi drejt Konstantinopojës. „Megjithëse Guiscard-i kishte fituar, – shkruan historiani Villemain në librinHistoire de Grégoire VII, – ai ishte tërhequr disi nga qyteti dhe qëndronte në fushën e Durrësit. Pranë lumit Guival, ai ngriti një fortesë që do të mbetej në kujtesën e këtij vëndi. Tashmë, në krye të Durrësit, Paleologu ishte zëvëndësuar me një venedikas. Meqë në qytet kishte pakënaqësi, ai kërkoi të bisedonte me komandantin e kështjellës përmes një qytetari nga Bari, i cili atë kohë shërbente në Durrës. Normandi shkoi me një eskortë të zgjedhur pranë kishës së Shën Nicolas, ku venedikasi erdhi të bisedonte me të. Guiscard-i i propozoi ta martonte me një nga bijat e tij, nëse ai dorëzohej pa luftë. Dhe ashtu ndodhi…“ Venecianët hapën portat e qytetit. Kjo ishte disfata e parë e madhe e perandorit bizantinas./Konica.al