18 Gusht, 2019 - 7:24 pm
Ministria e Kulturës e Malit të Zi do të dorëzojë padi kundër organizatorit të festivalit tradicional popullor “Logu i Tërgajës” në Cem të Malësisë, gjatë të cilit është shfaqur flamuri kombëtar shqiptar, pa flamurin kombëtar të Malit të Zi, njoftohet nga ky institucion raporton Zeri i Amerikes.
“Meqë në tubimin e përmendur u shfaq flamuri i shtetit fqinj pa flamur kombëtar të Malit të Zi, lidhur me rastin në fjalë do të dorëzojmë padinë penale para organeve kompetente kundër organizatorit. Theksojmë se manifestimet e kulturës nuk mund të guxojnë të jenë paravan për çfarëdo lloj nacionalizimi, as për shkeljen e normave të cilat janë të përcaktuara qartë me dispozitat pozitive ligjore të Malit të Zi”, thuhet në kumtesë.
Më tej thuhet se harmonia ndëretnike dhe ndërfetare është një nga pasuritë themelore të shoqërisë malazeze.
Ndaj paralajmërimit të Ministrisë së Kulturës ka reaguar nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu dhe koalicioni që mbanë pushtetin në Komunën e Tuzit, Forumi Shqiptar.
“Jam i befasuar në mënyrë të pakëndshme. Ministria e Kulturës dhe punonjësit e saj absolutisht duhet ta dinë që ne, si popull shqiptar autokton në Mal të Zi, e kemi simbolin tonë kombëtar që sipas Kushtetutës kemi të drejtën e përdorimit të lirë, dhe gjithçka tjetër, për mendimin tim, është inicim i grindjeve me popullin tonë”, thuhet në reagimin e Nimanbegut.
Ligji mbi simbolet kombëtare në Mal të Zi parasheh gjobë për përdorimin e çdo flamuri kombëtar pa flamurin e shtetit të Malit të Zi.
Kohëve të fundit është shënuar rasti i një qytetari në Ulqin, i cili u dënua për shkak se në makinën e tij kishte dy flamuj të vegjël shqiptarë, ndërsa në Malësi një qytetar tjetër kishte vendosur flamurin shqiptar në shtëpinë e tij private. Propozimin për ndryshimin e këtij Ligji e kanë dorëzuar përfaqësuesit shqiptarë në parlamentin malazez, por në votimin e deputetëve ky propozim nuk mori shumicën e votave në parlament. / VOA