26 Gusht, 2019 - 3:30 pm
Adresimi i normave të vendosura në modën afrikane në artin e një ekspozite në Berlin demonstron sesi qëndrueshmëria mund të gjendet duke rivizituar metodat tradicionale dhe punëdoret nga kontinenti në jug të Evropës.
Nuk ka asnjë pjesë nga Afrika në koleksionin e përhershëm të Berlinit në “Kunstgewerbemuseum” (Muzeun e Arteve Dekorative), ka pohuar kuratorja e Muzeut, Claudia Banz, në një prezantim për media të ekspozitës “Afro Futures. Fashion – Hair – Design”, që do të qëndrojë e hapur nga 24 gushti deri më 1 dhjetor. “Mirëpo, kjo ka për të ndryshuar”, ka shtuar ajo.
Ekspozita e re është ekspozita më e madhe në Gjermani dedikuar modës, dhe stilimit të flokëve me origjinë nga Afrika. Marrja me të kaluarën e kolonisë evropiane është një shqetësim kryesor për Muzeun, i cili synon që të gjurmojë këtë direkt përmes një ekspozite.
Në një anë, është politikisht e saktë që të shmangësh etiketimet e artistëve në kategori restriktive. Friederike Tappe- Hornbostel, drejtore e komunikimit në Fondacionin Federal Kulturor Gjerman, ëndërron ditën kur fokusimi në origjinën e dizajnuesve afrikanë do të tejkalohet nga të gjithë, “Nuk ka rëndësi nëse këta artistë janë nga Marisi, Dakar apo Milano”, ka thënë ajo.
Gjersa ndan këtë pikëpamje, Claudia Banz thekson se “moda është një sistem i fuqishëm” nga i cili shumë dizajnues përjashtohen në mënyrë sistematike bazuar në origjinën dhe racën e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Ideja prapa kësaj ekspozite ishte që t’iu ofrohej një hapësirë e lirë inovative, disenjatorëve të njohur me origjinë afrikanë për të zhbërë narrativen e krijuar nga industria e modës së Perëndimit.
Instalacionet e artistëve tregojnë trendë duke përfshirë edhe përpjekjet për të ndryshuar stereotipat për kulturën afrikane dhe për të zhvilluar një stil të qëndrueshëm.
Dizajnet e fustaneve afrikanë janë shpesh herë shumëngjyrësh dhe të guximshëm. Lamula Anderson, e cila u lind në Uganda dhe është vendosur në Londër për të studiuar modën, ka gjurmuar këto stereotipa edhe në dizajnet e veta. “Ti duhesh që të veshësh ngjyra më të ndezura, sepse je e zezë”, kanë thënë shpeshherë njerëzit rreth saj. Për të kaluar këtë etiketim që i është bërë Lamula Nassuna ka vendosur që të kundërshtojë këtë normë sociale në komunitetin e saj, duke dizajnuar fustane të zi, të cilët, sipas saj, mund të merren “si një deklaratë për të qenë vetvetja dhe për kundërshtimin e normës”.
Në istalacionin e tyre, Laura Tarot dhe Naay Sooley, një dyshe e disenjatoreve nën emrin “Bull Doff”, kanë bërë një stil “punk”, zi dhe bardhë, të rrobave të endura tradicionale që kanë shoqëruar afrikanët në faza të rëndësishme të jetës së tyre, si mbulesa për bebe të posalindura, fustane nusërie, apo batanije për funeral. Kombinimi i qëndisjes tradicionale me teknologjinë bënë që të përfshijë materiale të pazakonshme si hekur, gomë, dhe lëkurë në materialet gjera riprodhojnë copëzat aktuale të marra nga Senegali, Burkina Faso dhe Gana.
pjesë e rëndësishme e identitetit afrikan është kombinimi i estetikës dhe politikës, edhe stilet e flokëve janë eksploruar në mënyra të ndryshme në këtë ekspozitë. Ato shkojnë nga pamjet abstrakte të stileve të flokëve nga ilustratorja Diana Ejaita drejt gërshetave artificiale të konceptuara nga artisti konceptual Meschac Gaba. Edhe këtu artistët kanë sfiduar pikëpamjet për komunitetin afrikan.
Instalacioni i dizajnueses së modës, Adama Amanda Ndiaye, nga Senegali, luan me faktin se flokët e saj kanë qenë gjithmonë një shqetësim i madh në jetën e saj. Ajo i mban flokët e saj “nappy”që nënkupton në mënyrë natyrale dhe pa kimikale për zbutje të flokëve. Mirëpo, ajo luan në mënyra të ndryshme me stilin e flokëve të saj, duke shtuar zgjatime, gërsheta apo paruke.
Për gratë afrikane mbajtja e flokëve natyrale konsiderohet një veprim politik pasi që është në kontrast më përpjekjet për t’u përshtatur në estetikën kaukaziane, duke drejtuar flokët. Me punën e saj “Flokët afrikanë të paturpshme”, Adama pyet nëse zgjatimi i flokëve mund të konsiderohet pjesë e kulturës afrikane po ashtu.
Qëndrueshmëria është një shqetësim për shumë dizajnues sot. Po ashtu, është edhe një fjalë kyç e ekspozitës “Afro Futures. Fashion – Hair – Design”. Dy dizajnues prezantojnë aty artin e tyre dhe se si ky koncept mund të kthehet në një stil të lartë të modës e që është ekologjik.
Artistja multimediale nga Uganda, Njola, punon me materiale që janë hedhur nëpër vende me mbeturina të shumta, si lagjet në Kampala. Ideja e përdorimit të mbeturinave për të realizuar objekte të reja nuk është e re në Afrikë, mirëpo këpucët, rrobat, çantat dhe aksesorët e punuar nga kompania “Ndjenjat e Njolës”, nga goma të vjetra, qese plastike, papuçe plazhi të hedhura, kane një stil të mrekullueshëm “sci-fi” me referenca edhe në kulturën afrikane.
“Njerëzve ju pëlqen dizajni. Është diçka e re, një stil i ri”, ka thënë Njola. Ajo ka përmendur reagimin e njerëzve kur muzikanti dhe politikani i njohur, Bobi Wine, kishte shkuar me një nga çantat e saj të bëra nga goma në Parlament: “Të gjithë ishin shokuar. Gomë në Parlament –mirëpo në një stil të mirë!”
Ajo dhe ekipi i saj si një iniciativë për riciklim në projektet e tyre përfshijnë edhe njerëz të papunë që kanë lënë shkollën. Në punëtori ata pastrojnë rrugët, mbledhin materiale dhe mësojnë mënyrën tradicionale të qëndisjes që po harrohen nga gjeneratat e reja. “Ne e përdorim modën si një zë për të zgjedhur problemet në komunitet”, ka thënë ajo.
Një aktiviste tjetër për qëndrueshmëri në industrinë e modës, puna e së cilës është treguar në ekspozitë, është Jose Hndo. Disenjatorja nga Uganda, që punon në Londër, kritikon hedhjen e rrobave të klasës së dytë nga Amerika dhe Evropa në Afrikë, duke integruar elemente si xhinset e përdorura në disa nga dizajnet e saj.
Kërkimi i Hendos për alternativa më të qëndrueshme e ka dërguar atë në një rizbulim të një metode të lashtë në vendlindjen e saj, që është premtuese për të ardhmen dhe zgjedhjen e krizës aktuale të mjedisit. Materiali i quajtur “barkcloth” është një lloj lëkure e krijuar nga lëkurët e pemës mutuba. “Kur e hekë lëvoren nga pema ajo krijon një lëvore tjetër. Kështu që mund ta zhveshësh atë çdo vjet, deri në 60 vite”, ka thënë ajo. “Për mua si një disenjatore e modës që kërkon zgjedhje ekologjike e të qëndrueshme, kjo ishte gjëja me emocionuese që kam dëgjuar, dhe nuk mund të ndaloj së treguari dhe bërtituri për të. Dua ta ndaj këtë me të gjithë”. /KultPlus.com