28 Gusht, 2019 - 10:40 pm
Ed Sheeran ka lënë të kuptohet se dëshiron ta largojë pedalin e tij të famshëm të kitarës “loop” dhe të shkojë në një drejtim tjetër muzikor në natën mbyllëse të turneut të tij botëror.
Kantautori britanik është i famshëm për interpretimin solo në skenë, duke e përdorur një pedale të efekteve për t’i regjistruar linjat e tij të kitarës dhe më pas i lëshon ato në loop (përsëritje) derisa ai e interpreton një melodi të ndryshme krahas saj.
Ed i ka qëndruar besnik teknikës të cilën e ka përsosur në interpretime të vogla për një koncert në Glastonbury dhe turneun e tij të tanishëm ÷ (divide), por, sipas BBC, në natën e mbylljes së turneut të tij në Ipswich, Angli, të hënën ai u tha fansave: “Ky mund të jetë koncerti i fundit me pedale”.
Në vitin 2014, muzikanti zbuloi se dëshironte të performonte me një bend mbështetës pasi e shikoi një koncert të Justin Timberlake.
“Në kokën time gjithmonë e kam parë albumin e tretë ku e kam një bend,” tha ai për gazetën britanike “The Sun”.
Megjithatë, ai vendosi t’i qëndrojë besnik pedaleve me efekte për turneun Divide, një turne ky që ka thyer rekorde të shumta.
28-vjeçari ka interpretuar para 7.5 milionë njerëzve në turne dhe ka inkasuar të ardhura prej më shumë se 817 milionë dollarë – duke e bërë atë turneun më të ndjekur dhe më të paguar të të gjitha kohërave. /KultPlus.com