29 Gusht, 2019 - 7:25 pm
Shpesh kur fjalët mungojnë, kur gjuha na e pamundëson shprehjen, e kur momentet e përjetuara nuk kemi se si t’i shfaqim përmes fjalëve, fotografia kap momentin si një perëndeshë e vërtetë. Duke treguar fuqinë e saj madhështore, për të shfaqur të pashfaqurën e për të treguar të patreguarën.
Bleonita Duraku, një fotografe e re nga Vushtrria, përmes fotografisë ka tentuar të hedhë dritë mbi realitetin e hidhur në Kosovë, shkruan KultPlus.
Duke qenë e re në moshë dhe duke ndjerë dhimbjen e kushteve të rënda ekonomike e sociale që zënë hapsirë ne vendin tonë, ajo ka arritur që përmes kamerës së saj të kap momente të përditshmërisë kosovare, si fëmijët duke punuar e duke shitur në rrugë, personat në moshë të shtyrë që si pasojë e kushteve të rënda, detyrohen të punojnë etj.
Fotografja për KultPlus ka deklaruar se gjithmonë e kanë tërhequr fotografitë që bartin mesazh të rëndësishëm të shoqëria. ”Mesazhi që kam dashur ta përçojë është gjendja e rëndë ekonomike që mbizotëron në Kosovë dhe puna e rëndë fizike që pleqtë dhe fëmijët detyrohen ta bëjnë për shkaqe mbijetese”, është shprehur fotografja.
”Fotografitë kryesisht janë realizuar në Prishtinë, me fokus më të madh në pazarin e Prishtinës, sepse vetëm aty është më e qartë dhe më e lehtë të pasqyrohet realiteti i hidhur që shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës e jetojnë çdo ditë”, deklaroi Bleonita Duraku.
Fotografja poashtu tregoi se ka qenë shumë e vështirë realizimi i fotografive, pasiqë sipas saj qytetarët refuzonin të fotografoheshin me frikën e ekspozimit në media.
Më poshtë mund të shihni fotografitë e realizuara nga Bleonita Duraku, të cilat fotografja i ka ekspozuar edhe në kalanë e qytetit të Vushtrisë, ekspozitë kjo që duke trajtuar një temë delikate si ajo e mbijetesës, fotografja ka vendosur t’i vë titullin ”Jam edhe këtu”. /KultPlus.com