1 Shtator, 2019 - 4:48 pm
AT STATH MELANI (1858-1917)
Prifti përmetar At Stath Melani lindi më 1 shtator 1858 dhe u vra nga një bandë ekstremiste greke në vitin 1917.
Për 35 vjet ai veproi në shërbim të çështjes shqiptare dhe aktiviteti i tij u shtri gjer në Turqi, ShBA, ku shërbeu si prift, dhe përsëri në Shqipëri.
Si klerik dhe intelektual ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe zbatoi vendimet e këtij kongresi përbashkues në zonat jugore të Shqipërisë.
Për veprimtarinë e tij patriotike dhe kishtare At Stathi u përndoq nga autoritetet vendore turke në Shqipëri, të cilët dhe i dogjën shtëpinë tri herë. Në të njëjtën kohë, ai përgjohej dhe ndiqej edhe nga grupime nacionaliste greke, me nxitje të hierarkisë kishtare, të cilët dhe e vranë më 24 dhjetor 1917, në moshën 55-vjeçare.
Edhe pse sot është pranuar se lufta kundër përdorimit të gjuhës shqipe në Kishën Ortodokse ishte e gabuar, At Stath Melani nuk është rivendosur në historinë e komunitetit të vet fetar, në Kishën e Atdheut të tij.
Krerët ortodoksë në Shqipëri sot (gjysmët të ardhur nga Greqia dhe gjysmët nga familje myslimane shqiptare), kanë ringjallur dhe rimbjellur armiqësinë e hershme ndaj At Stath Melanit. Ata priftërinj që kanë guxuar të bëjnë përshpirtje për klerikun e vrarë në pabesi natën e Krishtlindjeve, janë qortuar dhe izoluar.