4 Shtator, 2019 - 11:00 pm
Bebe Rexha kishte frikë se “do të përdhunohej” nga një producent dhe miqtë e tij gjatë një seance regjistrimi në një studio muzikore. Pop ylli 30-vjeçar foli rreth anës së errët të industrisë së muzikës në një intervistë për revistën “Cosmopolitan”.
Gjatë bisedës emocionale, Bebe e detajoi keqtrajtimin e saj të pretenduar në duart e disa producentëve të paemëruar, duke e përfshirë një natë kur ajo e thirri një taksi për ta shmangur një sulm të mundshëm seksual.
“Ishte një natë,” tha ylli. “Unë isha vetëm në studio dhe një producent e kishte sjellë një grup prej pesë ose gjashtë meshkujsh me të. Kisha dëgjuar gjëra rreth tij nga e kaluara e tij dhe thjesht nuk mund ta përballoja më. Ndihesha sikur do të dhunohesha. Në heshtje e thirra një taksi nga kabina e regjistrimit, e cila ishte e mbyllur, dhe ika nga atje. Ishte nata më e keqe ndonjëherë”.
Krijuesja e hitit “In the Name of Love” zbuloi gjithashtu se në një rast tjetër një producent “me të vërtetë i famshëm” kishte këmbëngulur t’i bënte asaj masazh në këmbë dhe u përpoq ta prekte në mënyrë të pahijshme, shkruan KOHA Ditore.
“Ishte një producent që do të hynte në studio dhe do të m’i masazhonte këmbët,” shpjegoi ajo. “Një herë ai u përpoq të shkonte lart mbi gjunjë dhe po bëhej disi i ashpër, kështu që i tërhoqa këmbët. Ai tha” “Do ta bëj atë që dua”. Por unë jam rritur që kurrë të mos e lejoj askënd të ma prekë trupin nëse nuk e dua këtë.”
Bebe tha se nëna e Ke$has, Pebe Sebert, e kishte ndihmuar atë rreth aspekteve negative të industrisë së muzikës dhe e kishte këshilluar atë të mos punonte me Lukasz ‘Dr. Luke’ Gottwald, të cilin e bija e Pebe e ka akuzuar për abuzim seksual dhe psikologjik.
Krijuesja e hitit “Tik Tok” dhe Dr. Luke u përfshinë në një betejë të gjatë ligjore për pretendimet e saj, të cilat ai i mohon, dhe të cilat u hodhën poshtë nga gjykatësi në New York pasi binin jashtë statutit të kufizimeve në vitin 2016. /KultPlus.com