16 Shtator, 2019 - 4:29 pm
Ç’është jeta për ty? – e pyeta.
-Flluska sapuni, – m’u përgjigj.
-Po vdekja?
-Shpërblimi i jetës!
-Ç’është bota?
-Një pikë helm në hapësirë!
-Ç’është më e kuptuar në Botë?
-Vdekja.
-Cila është kafsha më e egër?
-Njeriu!
-Po më e butë?
-Ajo që s’ka lindur!
-Cili njeri ju duket më i poshtër?
-Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen!
-Ç’është budallallëku?
-Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je!
-Po puna më e mençme?
-Te gëzosh të tanishmen!
-Ç’është më e afërme?
-Vdekja!
-Po më e largët?
-Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit.
-Çfarë është e pavdekur?
-Hapësira!
-Çfarë është më e bukur?
-Fantazia!
-Po më e shëmtuar?
-Sëmundja!
-Më e hidhur?
-Jeta!
-Më e ëmbël?
-Hiçi!
-Ç’gjë është më e madhe?
-Libri i Botës!
-Po më e rëndë?
-Fjala!
-Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi:
-Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani?
-Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur?
-Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb!
-Kur shpërblehet njeriu?
-Kur e kujton veten të lumtur!
-Çfarë gjë ju duket më e mërzitur?
-Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër!
-Çfarë gjë ju duket më e vështirë?
-Të jesh njeri!
-Po më e lehtë?
-Të krijosh krijesë njerëzore!
-Cili është ngushëllimi i të pasurit?
-Pesha e qeses!
-Po i të vobektit?
-E ardhmja!
-Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti.
-Vdekja! -mu përgjigj serioz
-Po ç’përmban jeta e njeriut?
-Vetëm dyshime!
Pse?! – Sterjo Spasse.