19 Shtator, 2019 - 10:00 pm
Charlie Hunnam e ka fituar rolin kryesor në serinë e Apple, “Shantaram”, e cila do të xhirohet sipas romanit me po të njëjtin emër të Gregory David Roberts.
Apple ia ka dhënë serisë dritën e gjelbër dhe do të jetë produksioni i parë ndërkombëtar për Apple TV+ pasi i kishte blerë të drejtat për romanin në fjalë qershorin e kaluar. Romani i vitit 2003 bën fjalë për Lin (Hunnam), njeriun i cili arratiset nga një burg australian dhe planifikon ta fillojë jetën nga e para në Bombay në Indi. Lin atje duhet ta ndërtojë jetën pa familje, miq dhe pa emrin e tij, por megjithatë atje do ta gjejë fatin e vet. Romani është përkthyer në 39 gjuhë dhe është shitur në 6 milionë kopje.
Skenarin për serinë e shkruan Eric Warren Singer, i cili do të jetë edhe njëri nga producentët ekzekutivë, ndërsa Justin Kurzel do ta bëjë regjinë e dy episodeve të para nga 10 sa janë planifikuar. Shantaram është dashur të adaptohej qysh më parë kur Warner Bros i bleu të drejtat për librin, ndërsa në rolin kryesor është dashur të shfaqet Johnny Depp. Skenari ishte shkruar nga autori i romanit, gjë që në fund nuk rezultoi mirë dhe me këtë rast u angazhua një skenarist i ri. Projekti hasi edhe në vështirësi të tjera, u largua regjisori, skenaristi duhej ta rregullonte përsëri skenarin për shkak të buxhetit më të vogël, ndërsa Depp nuk gjeti më dot kohë në agjendën e vet. Në vitin 2013, u bë e ditur se Joel Edgerton do të shfaqej në rolin kryesor, por që atëherë nuk ka pasur më lajme për projektin.
Hunnam për shumë adhurues është më i njohur për rolin e tij si Jackson ‘Jax’ Teller në serinë Sons of Anarchy, e cila i kishte shtatë sezone dhe përfundoi në vitin 2014. Në ekranin e madh atë e kemi parë në filmin fanta-shkencor “Pacific Rim”, dramën biografike “The Lost City of Z”, dhe në aksion aventurën e Guy Ritchie, “King Arthur: Legend of the Sword”. Hunnam edhe një herë u bashkua me Ritchin në filmin aksion kriminalistik “The Gentlemen”, i cili është në post-produksion dhe i cili në kinema mbërrin në fund të janarit të vitit 2020, ndërsa në të luan me Matthew McConaughey.
Xhirimi i serisë “Shantaram” do të fillojë në tetor të këtij viti, ndërsa do të xhirohet në Victoria, Australi, në burgun e dikurshëm HM Prison Pentridge dhe në një studio në Melbourne. /KultPlus.com