24 Shtator, 2019 - 5:15 pm
Nga Polifonia në muzikë instrumentale, nga Amfiteatri i Durrësit, në Muzeun Historik në Tiranë. Kështu ka vazhduar rrugëtimi artistik i Festivalit Ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve”, organizuar nga organizata franko-shqiptare, “Argjiro” dhe një sërë partnerësh të tjerë.
Këtë vit festivali që i kushtohet dialogut të kulturave, ka sjellë artistë të famshëm nga Shqipëria, Evropa dhe Azia dhe do të vijojë me disa evente të rëndësishme gjatë muajit tetor.
‘Tinguj nga Kina”, kështu është titulluar eventi i rradhës i Festivalit Ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve”. Një mbrëmje që ka folur nëpërmjet muzikës instrumentale kineze, ka mbajtur të ‘mbërthyer” publikun në sallën UNESCO, në Muzeun Historik në Tiranë. Një prej vlerave të lashta kineze është padyshim dhe muzika instumentale autoktone, që e bën të njohur në të gjithë botën. Me qëllimin për ta sjellë për publikun shqiptar si pjesë e eventeve të Festivalit Ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve”, themeluesja dhe
organizatorja Ilda Mara e mundësoi për herë të parë në vendin tonë.
“Beijing Musicians Art Group”, i ardhur nga Kina, ka interpretuar për publikun disa pjesë muzikore mjaft të njohura kineze. Muzika e instrumentale, tingujt magjikë, por dhe interpretimi brilant, është ndjekur nga më shumë se 200 pjesëmarrësit, në një koncet që ka zgjatur më shumë se një orë.
Tingujt magjikë kanë mbushur me emocione sallën, ndërkohë që interpretimi ka qenë fantastik, nga tre protaginistët e grupit. Për Marën, ky ka qenë një nga eventet më emocionuese dhe ky edicion duket se ka arritur plotësisht të takojë dy botë, Europën me Azinë. Tradita e Polifonisë Bretone e grupit francez “Barba Loutig” dhe vlerat e polifonisë shqiptare të grupit “Shëndëllia”, të njohur nga UNESCO, u bashkuar në një mbrëmje artistike që mbushi me tinguj Amfiteatrin e Durrësit, ndërkohë që nga polifonia festivali ka mbërritur tek muzika elitare e instrumentave.
Festivali “Takimet muzikore të dy botëve” që qëllim ka promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe përpiqet t’i ofrojë publikut dhe turizmit në Shqipëri një alternativë argëtuese, edukuese, cilësore, këtë edicion të 13-të ja kushton dialogut të kulturave dhe do të sjellë artistë të famshëm nga Shqipëria, Evropa dhe Azia.
Pas tingujve nga Kina, që vjen për herë të parë në vendin tonë, festivali do të vijojë rrugëtimin e tij më 6 tetor me “Noh Theater” që do të mbahet në sallen e Koncerteve te Katedrales Ortodokse në tIrane , për të vazhduar më 9 tetor me një mbrëmje artistike nga Azia Qëndrore. /KultPlus.com