29 Shtator, 2019 - 11:30 pm
Më e dashura ime A,
Njeriu e kupton vlerën e tjetrit vetëm pasi ta ketë humbur. Ky është mësimi që se mësova kurrë. Sa ishim bashkë nuk e kuptova se kisha rënë në dashuri me ty kokë e këmbë. Nuk kishte asnjë kufij mes nesh. Mund ta kesh vënë re ketë. Në një pikë ndoshta edhe je gabuar me mua. Nuk mendoj se e ke kuptuar se ke pasur të bëjë me një njeri që do ta përjetësoj emrin tënd në rrugëtimin e tij. Nuk e ke kuptuar që ke pasur të bësh me dikë që nuk do të ndalet së lënguari për ty.
Psikologet, njerëzit e matur dhe ata të laboratorëve, do të më quanin të çmendur. Por jo, unë kam kuptuar aq nga jeta, sa të mos bije preh e broçkullave si këto. Unë jam i ekstremeve, jam si ato personazhet tragjike në veprat e Dostojevskit. Një si puna ime dashuron pa hile, pa prapamendim, pa frikën e humbjes. Ne jemi shpirtra të trazuar.
Do ta mbaj gjallë deri në fund të jetës sime mbamendjen për ty. Ti ke dhënë aq shumë, ke dhënë gjënë më të madhe që mund t’i jepet njeriut: dashurinë pa hile. Çka mund të pretendoj njeriu në këtë botë, më shumë se kaq?! A nuk është ky i gjithë kuptimi i kuptimeve? Ndoshta edhe mund të mos kesh besuar, por nuk jam njeri nga ata trutharët, që i harrojnë kujtimet, sapo e kthejnë kokën pas. I kam urryer gjithmonë njerëzit harrestar. I kam urryer gjithmonë shkrimtarucët që na thonë se duhet ta harrojmë të kaluarën. A nuk jemi ne, e dashura ime, e kaluara, kujtimet. E ardhmja nuk ka ardhur ende dhe nuk dua t’ia dijë. Pastaj kush mund ta kuptojë dhimbjen e tjetrit? Jo, kaq larg nuk shkon njeriu.
Mund të mos e kesh besuar, por tërë jetën kam luftuar me harresën. Nuk dua ta harroj kujtimin për ty. Do ta ushqej atë çdo ditë, çdo natë, deri në fund të jetës sime. Edhe nëse do të më kesh harruar të tërin. Sepse duhet ta kuptosh, nuk mund të ma marrësh të drejtën për të të mos harruar. Askush nuk mund të ma marrë këtë. Kjo e drejtë është arsyeja e vërtetë pse jetoj.
Çdo natë e shikoj qiellin. Mendohem se a e shohin të njëjtin edhe sytë e tu. Sa here i shikoj yjet mendohem se a ndriçojnë njëjtë atje në vendin tënd të largët. Hëna është më miqësore. Ma paqton shpirtin, sikurse fytyra jote hyjnore. Fantazoj se një ditë erërat e lindjes do të të sjellin tek unë. Sonte kam pritur gjatë. Do të pres edhe nesër. Kam gjithë kohën e botës për të të pritur.
I yti,
A.
Filozofi.al / KultPlus.com