2 Tetor, 2019 - 5:40 pm
Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK) dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me qëllim rritjen e kontributit akademik në procesin e vlerësimit, shpalljes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe avancimin e mendimit dhe studimeve shkencore tematike.
Sipas një komunikate të KKTK-së, marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryetari i ASH, akademik Vasil S. Tole dhe Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv i KKTK.
Me këtë rast, ASHSH dhuroi për bibliotekën e KKTK-së rreth 150 tituj librash të fushave të ndryshme, botime të saj.
“Të dy institucionet u dakorduan të bashkëpunojnë edhe për realizimin e kërkimeve, studimeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe organizimin e konferencave shkencore, tryezave dhe takimeve të ndryshme me interes për trashëgiminë kulturore”, thuhet në komunikatë. /KultPlus.com