6 Tetor, 2019 - 9:04 am
Shprehja hajdut apo kleft apo ndonjë shprehje identike – u shndërruan në shprehje kryesore në fjalorin e Ballkanit, duke kujtuar kryesisht luftën kundër robërisë, etjen për liri dhe për guximin burrëror, ndërsa në rastin tjetër, mbi anarkizmin, primitivizmin dhe dhunën.
Ndërlidhja e hajdutërisë (rebelizmit) dhe Ballkanit, nuk buron domosdo nga ndonjë prirje e veçantë për hajdutërinë (edhe pse ky fenomen ka qenë endemik me pjesët e Ballkanit qysh në shekullin e XIX) apo për shkak se hajdutëria në Ballkan mori karakteristika të ekzaltimit (në kundërshtim me Eric Hobsbawum që e adoptoi shprehjen ballkanike hajdut, me qëllim të përcaktimit të mënyrës më të rregulluar të rebelimit shoqëror).
Përfundimisht paraqitja e anarkisë rurale në mënyrë identike ka qenë e zgjeruar edhe në pjesët e tjera të Evropës, atje ku e kanë lejuar apo ku e kanë nxitur rrethanat socio-ekonomike, veçmas në mjedisin mesdhetar, shkruan sot Koha Ditore.
Hajdutët ballkanikë
Roli i hajdutit-kryengritësit në fjalorin politik të Ballkanit nuk është temë e re. Shumë etnologë dhe historianë nga Ballkani, por edhe jashtë tij, i kanë analizuar legjendat popullore që para së gjithash merren me rebelizmin apo hajdutërinë në mënyrë paralele me mbledhjen, përpunimin dhe botimin e përmbledhjeve të tilla, që më vonë ato janë shfrytëzuar në politikë.
Hajduti apo kryengritësi ballkanik është simbol i shkëlqyer kombëtar, i cili përdoret për modelim dhe transmetim të domethënies politike, me qëllim të orientimit në historinë kombëtare dhe që opinionit të brendshëm t’ia paraqesë gjendjen momentale ideologjike në vend.
Pra, kryengritësi apo hajduti ballkanik ka shërbyer si simbol i luftës kombëtare dhe si mjet për shënimin e kufijve të një bashkësie etnike, kundrejt bashkësisë tjetër armike. Si i tillë ai mund të na rrëfejë edhe për shoqëritë të cilat kanë krijuar dhe kanë shfrytëzuar simbole të tilla./koha.net/ KultPlus.com