7 Tetor, 2019 - 6:55 pm
(Nga Ilir Muharremi, kritik i artit)
I dashuri Albin,
Të përgëzoj për fitoren e merituar. Kjo është një fitore e madhe, fitore e popullit të revoltuar, të vuajtur, popullit i cili i tha vetes “mjaftë më, shumë kemi duruar, erdhi momenti i ndryshimit”. I popullit të zemëruar. I popullit që vuajti historikisht para luftës dhe pas luftës. (nga barbaria serbe, pas luftës nga kapja e shtetit.) Albin ti fitove dhe kjo është një përgjegjësi historike sepse dihen sfidat dhe meritat tuaja historike. Tash je triumfalist dhe konlukdimi juaj për qeverinë e shpresave tashmë u bë realitet.
A duhet të jetë kultura e rëndësishme për qeverinë Kurti?
Politikat kulturore duhet të investojnë në kulturë dhe duhet të hapen perspektiva të reja në sektorin e kulturës.
Kultura duhet të nxjerrët nga gropa e borxheve dhe gjendja e emergjencës. Të kthehet në prioritet dhe motor zhvillimi si në kinematorgrafi ashtu edhe në teatër.
Të rritet numri i vizitorëve për trashëgiminë kulturore ku jo vetëm promovohet kultura jonë kombëtare, por edhe të tërhiqet pjesa e madhe e turistëve duke e bërë Kosovën pjesë të axhendave kulturore ndërkombëtare.
Shumë e thjeshtë. Sa ishte numri i vizitorëve për trashëgimi kulturore në Kosovë nga ndërkombëtaret duke e ditur se kjo sjellë edhe numër të ardhurave. Fare pak mund të flitet për këtë. Sa është numri i vizitorëve në Galerinë Kombëtare të Kosovës pas natës së hapjes së ekspozitave? Sa ka publikë Teatri Kombëtar? Sa shikohen filmat kombëtar? Sa vizitohet Muzeu i Kosovës? Fare pak.
Dashtë Zoti që ju Albin ta udhëheqni Ministrinë e kulturës dhe të ndërtoni një sistem të qëndrueshëm menaxhimi mbi këto pika:
Përzgjedhje me konkurs
Pavarësi në programe artistike
Nxitje të partneriteteve
Krijimi i programeve themelore në fushat e trashëgimisë kulturore të artit, librit, dhe edukimit në përgjithësi
Vendosje e standardeve të cilësisë në organizim, muzealizim, dhe performancë artistike
Investim në ndërtimin ose rindërtimin e institucioneve kulturore ku deri në atë ditë s’ishte ngulur asnjë gozhdë që nga dita që ishin ndërtuar.
Zhvillim i diplomacisë kulturore në nivele të larta ndërkombëtare.
Pastaj e drejta e autorit ende nuk zbatohet, ishte premtim por jo i mbajtur sepse kjo ndihmon në integrimin evropian dhe fitohet një luftë e ashpër kundër piraterisë.
Trashëgimia kulturore ndihmon në zhvillimin dhe burimin e një ekonomie të qendrueshme. Shtrohet pyetja: cilat qendra kulturore u restaruan përveç në Prizren? Nuk janë vetëm fasada të tjeshta ato siç u trajtuan deri më tani.
Duhet të krijohet një model i mirëmenaxhimit dhe i politikave nxitëse në lëmin e Kulturës.
Kultura ishte vetëm luks e tash nuk duhet të jetë më
Deri më tani kultura ishte vetëm një luks, por nuk duhet të jetë më. Qasja në kulturë duhet të jetë shans për të gjithë e jo vetëm për disa siç ishte më herët. Duhet të kemi një edukim përmes kulturës, ta rehabilitojmë mirë Galerinë e Arteve të Kosovës, Teatrin, Muzeun, Kinematografinë, sallën e Operës etj. Nëse i bëjmë këto do rritet edukimi i publikut të gjerë. Emmanuel Macron tha : “Ajo që na bën europianë dhe që na bashkon para së gjithash është Kultura! Dhe me qëllim që të ringjallim sërish besimin mes nesh, nga Kultura duhet ta fillojmë!” E thjeshtë është kjo nuk lindim të kulturuar, bëhemi, pra edukohemi. Kulturën duhet ta shohim si element të domosdoshëm për shoqërinë tonë, Albin.
Me art ne edukohemi dhe kjo duhet të futet përmes kurrikulave të shkollës nga njëra anë dhe krijim pedagogjik dhe edukativ në çdo institucion sidiomos arti. Kultura te ne ende është e pashfrytëzuar sa duhet, është si një fëmijë i pa përpunuar mirë. Sa më shumë reforma në menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe komplet në skenën e kulturës.
Të pëkrahen skenarët e filmave të mirëfilltë, hapësira të jetë për të gjithë të talentuarit pa dallim moshe siç ishte deri më herët sepse në fund arti nuk njeh moshë e as gjini. Të shkëmbehemi edhe me serbët, boshnjakët, kroatët dhe në tërësi rajonin. Të krijomë ura të paqes përmes artit.
Andaj i nderuari Albin kërkojë nga qeveria juaj që nga kultura të fillojë reforma e parë.