CHwB Kosova kundërshton vendimin për dhënie në shfrytëzim të Kalasë së Vjetër në Vushtrri

18 Tetor, 2019 - 11:13 am

CHwB Kosova kundërshton vendimin për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të Monumentit te trashëgimisë kulturore – Kalaja e Vjetër në Vushtrri, shkruan KultPlus.

Ky është reagimi i tyre:

CHwB Kosova vlerëson se Vendimi Nr. 68/2019 lëshuar nga Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, nënshkruar nga drejtori i këtij Institucioni, Ismet Hajrullahu për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të Monumentit të trashëgimisë kulturore – Kalaja e Vushtrrisë është i pabazuar dhe i kundërligjshëm. Ky Vendim, i cili ka për subjekt një “Monument të trashëgimisë kulturore arkeologjike”, në mënyrë të kundërligjshme bazohet në dy pika – ‘Ligji 02/L-88 Neni 6 ( paragrafi 6.14)’ dhe ‘Rregullorja 06/2017 Neni 10, Paragrafi 1.18’- të cilat i referohen trashëgimisë kulturore arkitekturale. Neni 6 ( paragrafi 6.14), Ligji 02/L-88 thotë se “Përdorimi me qëllim përfitimi ekonomik dhe kulturor i trashëgimisë arkitekturale autorizohet me leje të shkruar nga Institucioni kompetent, në rastet ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura”. Gjithashtu, Rregullorja 06/2017, Neni 10, Paragrafi 1.18 specifikon se “Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve autorizon me leje të shkruar përdorimin me qëllim përftimi ekonomik dhe kulturor të trashëgimisë arkitekturale në raste ku vlerat e trashëgimisë arkitekturale janë të mbrojtura, pas konsultimit me Qendrën Rajonale përkatëse të Trashëgimisë Kulturore”

CHwB Kosova sqaron se ‘Kalaja e Vjetër në Vushtrri’ është monument nën mbrojte të përhershme në kategorinë ‘trashëgimi arkeologjike’ dhe jo arkitekturale siç është trajtuar nga vendimi i fundit kundërligjor. Ky kategorizim është adaptuar nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, propozuar nga Ministria e Kulturës. Në përshkrimin e publikuar në web-faqen e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore thuhet që “Bazuar në vlerat arkeologjike, artistike, shoqërore, shpirtërore, rariteti dhe shkencore, aseti Kalaja e vjetër është shpallur monument në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore në vitin 2016”. Duke marrë parasysh kategorizimin e mësipërm, Rregullorja 06/2017, Neni 11, Paragrafi 1.2, specifikon se është Instituti Arkeologjik i Kosovës i cili “Jep lejet (lejimi) me shkrim për veprimtari që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e trashëgimisë kulturore – arkeologjike nën mbrojte të përhershme ose të përkohshme”. CHwB Kosova konsideron se Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve me vendimin e fundit ka bërë një veprim kundërligjor duke shpërfillur kompetencat e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Për më tepër, ky veprim është vazhdimësi e një përpjeke të vazhdueshme, por fatmirësisht të dështuar, të të njëjtit Institucion, veprimi i së cilit vite me parë kishte hasur në reagime të ashpra qytetare.

Nisur nga kjo CHwB Kosova rekomandon që organet përgjegjëse urgjentisht ta shfuqizojnë këtë Vendim të paligjshëm duke parandaluar çdo veprim që cenon integritetin dhe autenticitetin e monumenti – Kalaja e Vjetër në Vushtrri. / KultPlus.com

Të ngjajshme