Përmbledhje nga KultPlus: 148 vite pa At Gjergj Fishtën

23 Tetor, 2019 - 8:25 pm


Populli shqiptar ndër vite ka pasur politikanë dhe atdhetarë të shquar, dhe pa dyshim se njëri nga më të mirët që me aktivitetin e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fusha të ndryshme të jetës shoqërore është At Gjergj Fishta. Për veprën e tij, Fishta meriton respektin dhe mirënjohjen më të lartë nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe nga mbarë populli shqiptar.

Politikani, kleriku, shkrimtari Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Që në moshën 6 vjeçe e dërguan në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880 vazhdoi studimet në Kolegjin Françeskan në Troshan, ku mbaroi dhe shkollën e mesme. Ai ishte nxënës i poetit arbëresh Leonardo De Martino. Më 1886 vazhdon studimet për filozofi dhe teologji në Bosnjë. Më 1893 u kthye në Shqipëri dhe më 1984 filloi punën si profesor i gjuhës shqipe në Seminarin e Troshanit.

Fishta, pasi kreu studimet e larta dhe u kthye në Shqipëri, vazhdoi me aktivitetin e tij shkencor duke themeluar disa revista me emrat më eminent të kohës së tij.

Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atij viti ai bëhet bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës Françeskane në Shkodër. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.

Më tetor 1913 Fishta themeloi revistën “Hylli i dritës” dhe ishte drejtor i saj. Më 1916 botoi revistën “Posta e Shqypnisë”. Po më 1916-tën së bashku me Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedën, Mati Logorecin etj, themeluan Komisinë Letrare në Shkodër.

Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës në Parlamentin Shqiptar. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të Parlamentit zgjidhet Nënkryetar. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali”.

Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Ai nxjerr botimin e plotë të veprës së madhe “Lahuta e Malcis” (1937). Fishta ka qenë qenë njohës i latinishtes, greqishtes së vjetër, italishtes, frengjishtes, e gjuhëve sllave. Veprimtaria e tij letrare, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit.

At Gjergj Fishta, në publikun e gjerë shqiptarë, përveç përmes kryeveprave të tij, njihet edhe me disa nga thëniet e tij të cilat bartin me vete një herë kritika konstruktive herë thirrje për unitet kombëtar pavarësisht dallimeve tjera.

“Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë”.

“Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota”.

“Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”.

“Mbi njatë flamur Perendija / me dorë t’ vet Ai e ka shkrue / “Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija / kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”.

“Më dhemb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra”.

Për At Gjergj Fishtën, një numër i madh i personaliteteve të rëndësishme kombëtare kanë treguar një vlerësim të lartë, njëjtë për personalitetin e për punën e tij. Këtu kemi disa nga vlerësimet e të tjerëve për Fishtën dhe punën e tij.


Eqerem Cabej:

“Lahuta Malcis, të cilën pasi e lexova dhe rilexova mbi 100 herë, jam dashurue aq shumë me këtë vepër, sa po më detyron të bëhem katolik”

Faik Konica:

“Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”

Ernest Koliqi:

“Tue lexue Lahutën e tij, përplot me teprica kangësh rapsodike të pa emën, të duket se je tu e vështrues popullin shqiptar kah i këndon vedvetit, me fjalët e Fishtës, ma t’ kulluetën kangë, e cila shpërthen nga një gjak misterioz që rrjedh në zemrën e tij ilire”.

Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i dha dekoratën “Foenix”. Më 1939 Italia e bëri anëtar të Akademisë së saj.

Sot në 148 vjetorin e lindjes së tij Bashkia e Lezhës ka marrë vendimin për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, duke ia shtuar shqiptarëve edhe një objekt dinjitoz dhe të rëndësishëm historik dhe kulturor.

Ai ka vdekur në Shkodër më 30 dhjetor 1940, duke lënë pas vetes një mori aktivitetesh letrare dhe patriotike por njëkohësisht duke lënë edhe një boshllëk që edhe sot e kësaj dite vazhdon të vërehet në qarqet intelektuale në gjithë hapësirën shqiptare. Ai vazhdon të mbetet atdhetar i pazëvendësueshëm.

Përgatiti: Qendrim Badalli
KultPlus.com

Të ngjajshme