24 Tetor, 2019 - 1:09 pm
Në kuadër të Festivalit të Teatrove që po zhvillohet në Ferizaj, u promovua vepra studimore “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, e autorit të ndjerë, Bekim Lumi.
Duke folur për këtë vepër, shkrimtarja dhe studiuesja Qibrije Demiri tha se Lumi bëri një përballje në mes të Shekspirit dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit, çfarë, sipas saj, dëshmon njohje të mirë të të dyjave nga ana e autorit. Demiri tutje tha se në këtë vepër vërehet qasja artistike, kritike dhe hulumtuese e regjisorit të ndjerë.
“Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që është një studim krahasues në mes veprës “Makbethi” të Shekspirit dhe normave kanunore të Kanunit të Lekë Dukagjinit, vlerësohet edhe nga dramaturgu Arian Krasniqi. Duke rrëfyer për këtë vepër, Krasniqi, më tepër vuri në pah faktin që Lumi asnjëherë nuk krijoi art brenda kornizave.
Natyrshëm, në këtë ngjarje të promovimit të librit studimor “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, u fol për autorin Bekim Lumi.
Aktori e regjisori Xhevat Limani e lavdëroi veprimtarinë profesionale të Lumit duke thënë se regjisorët e rinj duhet t’i ndjekin hapat e tij. “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit” që vë përballë “Makbethi”-n dhe Kanunin shqiptar, u çmua si vlerë e veçantë sidomos për studentët dhe studiuesit e artit. /21media/ KultPlus.com