24 Tetor, 2019 - 1:42 pm
Instrumenti kordofon duket se është njësuar me portretin e burrave lahutarë. Isë Elezi, që ia njeh mirë vlerat traditës, e mban të veshur në kostum, këngë e muzikë, e pohon me krenari: Unë jam i Rugovës e përfaqësoj trojet shqiptare nga Europa deri në Kinë.
Lahuta që përqafon përmes krenarisë e me një lloj dhimbjeje që të gjithë lahutarët përpiqen ta përtypin, ekziston, siç rrëfen, që kur ai s’kish lindur ende. Shqetësimit të tyre që kjo traditë të mos zhduket, i jep zë akademiku Zymer Neziri, i cili ndërsa prezantoi në Akademinë e Shkencave në Shqipëri 40 vite studime për Eposin e Kreshnikëve e lahutën, propozoi që ky instrument të futet në shkolla, pa lënë mënjanë njohjen në UNESCO. “4 dekada më parë, në Rugovë kishim 8 lahutarë që dinin mbi 10 mijë vargje.
Sot, në krejt zonat e veriut, të shpërndara në 5 shtete të Ballkanit, kemi vetëm 2. Gjendja nuk po ndryshon për mirë, por mund të konsiderohet e mirë në krahasim me të tjerët që po mbeten pa epos”, thotë Neziri.
Është e qartë, kambana e alarmit ndihet! Lahutarët janë drejt zhdukjes, madje as legjendarët si Isa duket se nuk kanë mundur ta përçojnë këtë traditë në familje. “I kam 21 nipa e mbesa, po s’kam mund të ndikoj”, pohon lahutari me keqardhje, ndërsa shton se teknologjia e emigrimi kanë bërë të vetën.
Në Rugovë, për 350 vite, siç ai rrëfen, lahuta ka qenë pjesë e pandashme e çdo familjeje. “Për atë shtëpi që ndoshta nuk e ka pasur, thoshin se i zoti është qyqar”, tregon Isa. Ndërsa përkëdhel kaskën e drunjtë të lahutës, rrëfen se këtë instrument e ka prej moshës 7-vjeçare. “Ma mban gjallë shpirtin”, pëshpërit teksa përpiqet të fshehë sytë e përlotur. Vargjet që ai këndon më shpesh janë ato të Ciklit të Kreshnikëve.
Sa i pëlqen Isës të këndojë për heronjtë e vendit, por nuk lë pas as lahutën tonë të Malësisë e të tjera këngë. “Nga Cikli i Kreshnikëve zotëroj 35 mijë vargje, as i shkruaj, as i kam shkruar kurrë”, thotë lahutari. Ndërsa dikur ishte e pandashme në ahengje familjare apo fetare, sot lahuta ndihet fare pak në Rugovën e tij. E megjithatë, Isa, kur është në qejf apo edhe nervoz, siç thotë, nuk ngurron “të lëshojë ndonjë trakt të lahutarëve”.
Katër breza lahutarësh
Rustem Bajramit, lahutarit që ka ditur përmendësh afro 60 këngë, duket se i ka prirë fati me lahutën, nipi i tij premton ta mbajë gjallë traditën e trashëguar në 4 breza. “I bie lahutës edhe më bukur se unë”, rrëfen krenar 89-vjeçari. Ende sot, në moshë të thyer, ky instrument muzikor i jep zemër, siç ka ndodhur për vite me radhë me luftëtarët para betejave. “Kur këndoj në lahutë, s’ka kush më del përballë, veç lumit Zot që më ka falë. Kosova më njeh e më ka dëgjuar të këndoj në borë e shi edhe gjatë protestave”, thotë Bajrami.
“Rugova” dhe trashëgimia e braktisur nga institucionet
“Lahuta, Eposi, mbartin përpjekjet e jashtëzakonshme të këtij kombi për të mbijetuar”, rrëfen Vesel Nikçi, kryetari i Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova”, që prej 70 vitesh përpiqet të mbajë gjallë trashëgiminë. “Lahuta duhet të mbetet e jona. Për historinë, vlerat që mbart”, shton ai. Ansambli “Rugova” është i vetmi institucion që kujdeset për ruajtjen e kësaj tradite e, siç Nikçi tregon, momentalisht janë gjallë 4 breza që ushtrojnë lahutën, mes të cilëve dhe studentë muzikantë.
Sipas Nikçit, këto pasuri të trashëgimisë sonë janë lënë pas dore e institucionet e Kosovës e Shqipërisë s’po bëjnë mjaftueshëm që Eposi, lahuta e asetet e tjera të trashëgimisë, të njihen edhe në UNESCO. “Kemi punuar që 28 asete të trashëgimisë sonë shpirtërore të njihen nga UNESCO, i kemi dorëzuar pranë ministrisë së Kosovës, po kanë mbet aty. Ne kemi Shqipërinë që është pranuar në UNESCO, ndaj s’duhet prit më gjatë. Këngët, veshjet, ritet, instrumentet, rrezikojmë të na i marrin të tjerët. Serbët edhe brumin e kanë çuar, ndaj ne duhet të marrim masat”, thotë Nikçi.
Eposi, Kosova i jep Shqipërisë bekimin për në UNESCO
Shqipëria s’ka më justifikime, Kosova i ka dhënë bekimin që Dosja e Eposit të Kreshnikëve të dorëzohet nga qeveria jonë, meqenëse nuk është ende anëtare e UNESCO-s. Mësojmë se dosja është ende në Tiranë, në pritje të ndryshimeve të fundit. Aktualisht, siç akademiku Zymer Neziri, njëherazi bashkëhartues i dosjes, thotë ne kemi ende 300 bartës të Eposit, të cilët dinë mbi 100 mijë vargje. “Kjo është një pasuri jo vetëm shqiptare, por edhe europiane e botërore. Si pjesë e dosjes, ne duhet të dëshmojmë se këtë traditë e kemi të gjallë. Asnjë popull nuk ka mundësi të dëshmojë aq fuqishëm sa shqiptarët, që kanë mbijetuar më gjatë se eposet e kulturave të tjera”, rrëfen Neziri./Anila Dedaj, “Panorama”. / KultPlus.com