7 Nëntor, 2019 - 10:30 am
Orkestra e famshme simfonike e Vjenës ka emëruar dirigjenten e parë femër të saj. Është ky një revolucion i vogël në kryeqytetin botëror të muzikës klasike.
Orkestra simfonike radiofonike e Vjenës po feston 50 vjetorin e saj, me një grua në krye. Dirigjentja amerikane, Marin Alsop, po e kryeson orkestrën që nga 1 shtatori. Para emërimit të saj, vetëm meshkuj ishin zgjedhur për detyrën prestigjioze, transmeton KultPlus.
“Është interesante sepse Vjena ka një histori dhe traditë të gjatë, e ka edhe reputacionin se është shumë konservatore dhe nuk ka pjesë të saj shumë gra, veçanërisht në orkestra. Por, unë nuk e kam ndjerë një mirëpritje të tillë prej kohësh. Ishte shumë e ngrohtë. Njerëzit janë të entuziazmuar. Duket sikur ata janë gati për ndryshim dhe thonë; le ta bëjmë këtë. Ndaj jam shumë e lumtur për këtë”, shprehet Marin Alsop.
Alsop tregon se kur e filloi karrierën si dirigjente, ndjehej shumë e vetmuar, në një fushë të mbushur me meshkuj. Por sot, është e entuziazmuar sepse ka një pafundësi zgjedhjesh për gratë e reja në fushë.
Performanca e dirigjentes së re është pëlqyer shumë edhe nga spektatori vjenez, po aq konservator sa edhe vetë orkestra simfonike. Nuk kemi vënë re asnjë dallim mes një dirigjenti mashkull dhe një dirigjenteje femër – thonë ata. /tch/ KultPlus.com