Meta: Gjuha arbëreshe të mësohet në shkollat italiane

9 Nëntor, 2019 - 12:28 pm

Presidenti i Republikës së Shqipërisë , Ilir Meta, në kuadrin e vizitës së punës në rajonin e Puljas në Itali, zhvilloi një takim me eurodeputetin Mario Furore, senatoren Gisella Naturale dhe deputetët italianë Giorgio Lovecchio, Rosa Menga, Marialuisa Faro, Antonio Tassi dhe Carla Giuliano, transmeton KultPlus.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Kazalvekios, z.Noe Andreano, Presidenti Meta dhe përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike në Parlamentin Italian, ndanë ide të vyera për forcimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë.

Presidenti Meta theksoi se një urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet popujve tanë, janë komuniteti arbëresh dhe emigracioni shqiptar në Itali.

Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit i inkurojoi deputetët italinë për të dhënë mbështetjen e tyre për aplikimin e plotë të ligjit italian për minorancat kulturore, me qëllim që gjuha shqipe dhe ajo arbëreshe të mësohen në zonat ku këto komunitete jetojnë.

“Është me rëndësi që trashëgimia e jashtëzakonshme kulturore arbëreshe, kjo pasuri e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë, të mbrohet dhe promovohet. Gjuha arbëreshe që flitet prej shekujsh brez pas brezi duhet të vazhdojë të jetojë, ndaj ne do ta mirëprisnim aplikimin e duhur të ligjit italian për minorancat kulturore, me qëllim që ajo të mësohet në shkollat shtetërore italiane në të gjitha krahinat ku jetojnë arbëreshët. Me rëndësi është gjithashtu që edhe fëmijët e komunitetit më të ri shqiptar në Itali të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën shqipe në institucionet arsimore italiane”, theksoi Meta. / KultPlus.com

Të ngjajshme