11 Nëntor, 2019 - 8:00 pm
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko shprehet se përmes aktiviteteve kulturore, promovohet identiteti ynë kombëtar në Zagreb.
“Në qytetin e Zagrebit në Kroaci, këtë fundjavë komuniteti shqiptar festoi Ditën e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare, përmes aktiviteteve kulturore ku u promovua identiteti ynë kombëtar”, tha ai.
I ftuar në aktivitet ishte edhe grupi folklorik “Bilbili”, i cili interpretoi disa nga këngët më të njohura të Labërisë e Bregut të Detit.
Mes të ftuarve të nderit ishte dhe kryetari i bashkisë së Zagrebit, Milan Bandić, Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Riza Poda, Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, Kryetari i Shoqërisë se Pakicës Kombëtare të qytetit të Zagrebit, Gëzim Rexhepi.
Me këtë rast, përshëndeti edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Riza Poda.
Drejtori i grupit folklorik “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, u shpreh se “folku i bashkon popujt, por në këtë rast ai ndezi dhe bashkoi zemrat e shqiptarisë dhe këtë mision e kreu me sukses ansambli “Bilbili””.
“Duartrokitjet që nuk reshtnin, shoqëruan të gjithë numrat artistikë, këngët polifonike të grupit dhe ato te kënduara nga këngëtarja Ludmilla Baballëku”, – tha Gjokoli.
Grupi folklorik “Bilbili” juridikisht është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare. /atsh/ KultPlus.com