Shkumbin Istrefi: Arzana Kraja insistonte në vlera edhe atëherë kur të gjithë ishin të gatshëm të hiqnin dorë

15 Nëntor, 2019 - 2:00 pm

Jeta Zymberi

Fizikisht ajo nuk do të jetë më, zëri i saj nuk do të dëgjohet, por në vend të saj do të flasin veprat që la pas. Regjisorja Arzana Kraja, vdiq ditën e mërkure për të lënë një zbrastirë të pa zëvendësueshme tek të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe familjarët e saj, shkruan KultPlus.

Komuniteti artistik kishte organizuar sot mbledhje komemorative për nder të regjisores Kraja. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës ishin mbledhur një numër i madh njerëzish ku shprehja e fytyrës së tyre fliste më shumë se gjithçka.

Teatri ishte mbushur me njerëz e në rendin e parë po qëndronin familjarët të cilët po mundoheshin të përmbaheshin në mesin e kësaj dhimbje të madhe. Në sfond po dëgjohej kënga e preferuar e Arzanës që shoqëroi secilin fjalë që u tha sot për të.

Zana Radogoshi, mikja e ngushtë e Arzanës në mënyrë krejt natyrale para të pranishmëve shpalosi disa momente e natyrën e butë e të buzëqeshur të saj.

“Arzana e ka dashtë shumë muzikën, asaj i ka pëlqy me vallëzu me këngët e Shakirës, ajo e ka pasur vallëzimin më të bukur, ka vallëzuar me shpirt. Ajo nuk ka qenë vetëm një artiste, ajo ka qenë shumë e veçantë. Ajo ka pasur një shprehi, në çdo fletë që ka pasur përpara ajo ka vizatuar një pemë me disa gjethe, dje kur ne ja dhamë lamtumirën Arzanës, e pamë që Arzana e kish gjet pemën e saj”, përfundoi mes lotësh fjalën e saj Radogoshi.

Një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Arzanës ka qenë edhe aktori Shkumbin Istrefi. Ata punuan bashkë për 10 vite te “Kafeneja jonë” e për të vazhduar bashkëpunimin edhe tek filmi “Fusha e Mëllenjave”. Istrefi e kishte shumë të vështirë të flas për miken e tij. Në pamundësi t’i ndalte lotët ai shpesh pushonte për disa sekonda për të vazhduar prap të tregojë sa humbje e madhe është kjo e fundit.

“Arzana kërkonte vlerë dhe sukses çdokund. Mua personalisht ma ka dhuruar një rol jetësorë, rolin e Sylës në filmin e saj të mrekullueshëm “Fusha e Mëllenjave”. Përmes bashkëpunimit që kemi pasur kam arritur ta njoh më mirë”, ka thënë Istrefi duke vazhduar të përmednë disa nga vlerat e saj.

 “Arzana ishte e përkushtuar në punë në kohën kur kjo cilësi nuk vlerësohet, lexonte kur leximi konsiderohej humbje kohe, kërkonte dije kur dija nuk është në modë, ishte shok kur ky virtyt është shëndërruar në interes, insistonte në vlera edhe atëherë kur të gjithë ishin të gatshëm të hiqnin dorë, nuk bënte kompromis me vlerat por në fund bëri kompromis me jetën.”

Gjatë kësaj mbledhje u tha se Arzana ishte artiste që në thellësi të karakterit të saj modest dhe të heshtur vlonte nga revolta ndaj padrejtësive shoqërore që e nxiten të bëhet zëri i të heshturve. Fjalia e saj e fundit që ju mbeti njerëzve në mendje me rastin e premierës së filmit të saj “Fusha e Mëllenjave” në PriFest ishte: Na duhen më shumë idealist, na duhet zëri i tyre. Arzana ishte idealiste, kishte ideale për një botë më të drejtë, ku shemben padrejtësitë.

Krejt për fund, në emër të familjes, forcat për të thënë një fjalë i mblodhi motra e saj e vogël Gresa Kraja e cila me pak fjalë por e përmbledhur u shpreh falënderuese për të gjithë që po ndajnë dhimbjen me ta, ndërsa kërkoi që Arzana të kujtohet gjithmonë e buzëqeshur, duke vallëzuar e kënduar.

“Arzana ishte një shpirt i bardhë e cila na la fizikisht, por nuk do të na lërë kurr shpirti i saj. Ajo do të jetë gjithmonë me neve, e buzëqeshur, duke vallëzuar e kënduar dhe ashtu, vetëm ashtu duhet kujtuar, në asnjë rrethanë tjetër”, u shpreh Gresa duke falënderuar të gjithë në emër të familjes Kraja.

Për të përmbyllu këtë mbledhje, në një ekran të madh u shfaq puna e Arzanës që bëri për gjithë këto vite në fushën e kinematografisë. Fryma e saj artistike e fuqia e të bërit art folën për pak minuta me të pranishmit të cilët ishin zhytur në lot.

Kraja ishte regjisore e filmit dhe e televizionit. Studimet i kishte përfunduar në Degën e Regjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ishte regjisore, asistente e regjisë e producente në disa televizione e produksione vendore. Ishte njëra ndër themelueset dhe udhëheqëse e departamentit të filmit në festivalin ndërkombëtar studentor për film dhe teatër, “Skena UP”, nga vitit 2002 deri më 2007.

Kraja është autore e tetë filmave të shkurtër, midis tyre “Kulla e sahatit”, “Shkurta”, e tre filmave dokumentarë, midis tyre, “Përmes syve të mi” e “Kosova ime”. Në korrikun e këtij viti filmi i saj debutues i metrazhit të gjatë artistik, “Fusha e mëllenjave”, ishte dhënë premierë në festivalin ndërkombëtar të filmit “PriFilmFest” në Prishtinë. Bashkë me Shkumbin Istrefin ishin regjisorë të serialit “Kafeneja jonë”.

Vdekja e saj është përshkruar si një humbje e madhe për kinematografinë e Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme