13 Tetor, 2017 - 2:37 pm
Edicioni i pesëmbëdhjetë i ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë Çmimi ‘Gjon Mili’ vjen sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kjo ekspozitë vjen nën kurimin e Alfredo Cramerotti dhe asistent kuratori Atdhe Mulla, të cilët sjellin konceptin kuratorial “HIPERIMAZHI! Imazhet brenda dhe jashtë ekraneve tona”, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë, sonte do të shpallen fituesit nga juria profesionale e përbërë nga: Eleni Laperi, Vahida Nimanbegu dhe Afrim Spahiu.
Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës në një konferencë për media, tregoi për rëndësinë e kësaj ekspozite vjetore e cila për publikun bën ofrimin e fotografisë si forma më lehtë e komunikimit me publikun. Derisa shpjegoi se ky edicion sjell një koncept, i cili përkon me mënyrën e përdorimit të fotografisë në ditët e sotme.
Sipas kuratorit Alfredo Cramerotti kjo ekspozitë lidhet më shumë për dimensionet e përdorimit të fotografisë, veçmas sot me përdorimin e saj në mediet sociale.
“Arsyeja prapa kësaj ekspozite është mënyra e ndikimit të fotografisë, të cilat mund të jenë në forma të ndryshme. Përdoren në mediet sociale, sidomos instagram. Janë disa këndvështrime të ndryshme të krijimit të fotografive, sidomos atyre digjitale, i cili shihet si një produkt i papërfunduar, këtë e bëjmë edhe me telefonat tanë ku ne vazhdimisht i këpusim dhe i ndryshojmë fotografitë”, ka thënë Cramerotti.
Kurse Oscar Shmidt nga Gjermani, pjesëmarrës në këtë ekspozitë tregoi për paraqitjen e fotografive, përkatësisht manipulimin e fotografive përmes fotoshopit, dhe se si fotoshopi ka ndikuar në ndryshimin e këtij profesioni.
Ai ka paraqitur tri vepra duke argumentuar se fotografia po pëson ndryshime çdo ditë e më tepër.
“Ideja kryesore është manipulimi i fotografive, fillohet me aparat analog me fotografi të mëdha dhe pastaj skanimi i filmave në procese të kompjuterizuara. Unë kam paraqitur edhe dy portrete të vendosura përballë njëra tjetrës dhe dy gota të Starbucks, të cilave u janë hequr skajet, me këtë për të treguar ndryshimin dhe manipulimin për qarkullimin e fotografive në internet”, ka treguar Shmidt.
Po ashtu kjo ekspozitë do të sjellë edhe vepra të akumuluara dhe të arkivuara, ku fotografitë janë marrë nga serverë të ndryshëm dhe pastaj janë ndryshuar. Chrisopher Meerdo, pjesëmarrëse nga Chikago në këtë ekspozitë , veprat e tij i ka titulluar me emrin “Antologji” ku punën e tij e ka bazuar në kthimin e fotografive të arkivuara në memory card-s të përdorura.
“Unë kam sjellë imazhe të cilat janë të nxjerra nga një memory card e kamerë, të cilën unë e quaj “Arkivë aksidentale”, kështu unë jam shumë i interesuar në arkeologjinë e imazheve. Unë kam blerë memory card-s, të cilat kanë qenë të përdorura më herët, kam nxjerrë imazhe që janë menduar se janë të fshira, mirëpo kthimin e tyre e kam bërë përmes një softueri për kthimin e imazheve. Ndonjëherë kur janë kthyer ndonjë fotografi e vjetër së bashku me një fotografi të re, janë nxjerrë si një imazh në vete, pra këto të dyja së bashku”, ka thënë ai.
Janë 18 artistë që sonte presin të fitojnë çmimin “Gjon Mili”. Në mesin e artisteve shqiptar janë: HAVEIT, Eliza Hoxha, Brilant Pireva, Kushtrim Asllani, Dardan Zhegrova dhe Sadi Suhodolli – TADI./KultPlus.com