25 Nëntor, 2019 - 6:18 pm
Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, ka hapur thirrjen për edicionin e tretë të këtij konkursi.
Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e reja dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.
Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.
Një mbrëmje poetike do të pasojë gjatë muajit dhjetor për të shpërblyer më të mirët dhe për të dëgjuar dhjetë poezitë më të mira të interpretohen para publikut.
Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, ndërsa në edicionin e dytë triumfoi Arjola Zadrima.
“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art KULTPLUS – www.kultplus.com.
Thirrja do të jetë e hapur deri më datë 1 dhjetor 2019. / KultPlus.com