5 Dhjetor, 2019 - 12:00 pm
Wolfgang Amadeus Mozart ka lindur me 27 janar të vitit 1756 dhe vdiq më 1791. Sot shënohet 228-vjetori i vdekjes së tij. Moxarti ishte biri i Leopold dhe Maria Pertl Mozart. Babi i tij kishte filluar që t’ia mësonte notat në piano vajzës së tij Maria Anna të cilën e thërrisnin Nannerl, gjersa Mozarti një tre vjeçar i shikonte duke imituar notat që ajo krijonte. Kështu ai filloi që të tregojë shumë shpejtë aftësitë e të kuptuarit të zërit, tonalitetit dhe ritmit.
Babi i tyre përpiqej që ti mësonte që të dy më shumë për muzikën duke i afruar me të si një mënyrë e argëtimit, mirëpo duke mos lënë anash mësimet. Kështu që të dy fëmijët u treguan të suksesshëm në këtë drejtim madje Mozarti filloi që të kompozoj në moshën 5 vjeçare duke treguar aftësi mahnitëse në klaviçembal dhe violinë.
Mozarti i vogël ishte në Paris, kur sapo kishte mbushur shtatë vjeç e gjysmë. Luajti në klaviçembal në mënyrë të mahnitshme, improvizoi arie të vogla dhe sonete me një mjeshtëri të rrallë aq sa i shastisi të pranishmit që e dëgjuam me mjaft kureshti dhe admirim. Ai kishte lindur të ishte një mrekulli.
Edhe kur i ati, për t’i bërë më të qarta aftësitë e tij të jashtëzakonshme, ia mbuloi tastierën me një cohë leshi të hollë, ai ekzekutoi po kaq mjeshtërisht pjesët si dhe kur tasti ishte i zbuluar. Përnjiherë u bë objekt i çuçuritjeve në sallat dhe ambientet mondane të Versajës.
E thirrën në oborr ku mbreti e përgëzoi dhe mbretëresha e ngopi me ëmbëlsira. Në fund donte ta shikonte edhe Madame de Pompadour. Ajo për ta parë sa më mirë e vendosi në këmbë mbi një tryezë. Djali i vogël i zgjati dorën që t’ia puthte, por ajo nuk dënjoi t’i përgjigjej kësaj kërkese. Atëherë Mozarti i vogël, të cilin e kishte puthur perandoresha Mari Tereza, u prek dhe i tha:
– Kush është kjo grua kryelartë që nuk do të më puthë dorën, kur vetë perandoresha më ka puthur?
Ai i tha këto fjalë në gjermanisht. Madame de Pompadour sigurisht që nuk e kuptoi dhe mrekullisht që nuk u bë kureshtare për të ditur se çfarë tha djaloshi, ndryshe Mozarti i vogël mund të përfundonte pas hekurave në bodrumet e ftohta të Bastijes.
Mozarti do të kthehej në Paris në moshën 20-vjeçare, kur i vdiq e ëma.
I pikëlluar i’u desh të linte hotelin, ku qe ftuar nga Grim, i cili nuk kishte asnjë besim në aftësitë muzikore të Mozartit. Ai e detyroi djaloshin që të largohej. Dhe Mozartit në ikjen dëshpëruese iu desh të ndalej në Strasburg për të dhënë një koncert, sepse nuk kishte paratë e mjaftueshme për të vazhduar udhën e kthimit.
– Salla më kishte pritur, – kishte thënë më vonë Moxarti, – në një tryezë të përgatitur për njëzetekatër vetë, vetëm tre a katër ishin duke ngrënë. Ky ishte dështim i plotë për Wolfgang Amadeus Mozart, për mjeshtrin e mjeshtarve të të magjishmes muzikë klasike.
Pasi u paguan shpenzimet, atij i dhanë si shpërblim një luigj, që ishte i mjaftueshëm vetëm për të bërë me karrocë një copë nga rruga e tij e kthimit.
Disa nga veprat e tij janë: operan “La Finta Giardiniera”, “Idomeneo, Mbreti i Kretës“,“Martesa e Figaros“ (1784), “Don Zhuani“ (1787), “Flauti magjik”, si dhe sonata të ndryshme për violinë, për piano, kuintete, pastaj simfoni të ndryshme, sonata, si dhe muzikë kishtare.
Mozarti ishte gjithë kohën i zënë duke kompozuar, duke dhënë mësime, duke organizuar koncerte apo duke mbyllur pagesa për punët e tij. Menjëherë pasi puna e tij shitej, blerësi i saj mund ta kopjonte e ta shiste duke fituar para nëpërmjet saj, pa shkuar asnjë kacidhe në xhepat e autorit (E drejta e autorit akoma nuk ishte e njohur në Austri deri 30 vjet pas vdekjes së tij). Për këtë arsye Mozarti i ruante manuskriptet e tij duke mos përfunduar pjesët për piano në mënyrë që të nxirrte fitime prej tyre. Kjo mund të jetë dhe arsyeja pse në një pjesë të veprave të tij mungon pjesa për piano.
Në 1782-shin, kundër dëshirës të së atit, Mozarti martohet me motrën e vogël të ish të dashurës së tij, Kostancën. Pas martesës, Mozarti shkon në Vjenë, ku për një farë kohe gëzon sukses me veprat e tij. Ndërkohë marrëdhëniet e tij me të atin dhe motrën ishin ftohur, kështu ai u përjashtua edhe nga testamenti i të atit të tij.
Kompozitori i famshëm gjatë karrierës së tij është përballur shumë me probleme financiare. Ai i ndodhur në gjendje shumë të vështirë ekonomike filloi të merrte hua. Letrat që ka lënë ai janë zemërcopëtuese, pasi që në to ai lutej për të marrë të holla hua nga njerëzit. Në 1789-ën Mozarti udhëtoi në Berlin e më pas në Frankfurt duke shpresuar për një pozitë më të mirë, por asgjë. Bashkëpunimi me Emanuel Schikaneder, pronarin e një teatri në zonën e klasës së mesme të Vjenës, dhe trupën e tij, solli në skenë operan “Flauti magjik”, që u bë menjëherë popullore e i dhuroi Mozartit një shije të fundit të suksesit.
Pas premierës së saj në shtator të 1791-shit, dukej sikur gjërat po merrnin për mirë për të dhe familjen e tij. Mirëpo në nëntor kur ai kishte punuar rreth 30% të veprës së parapaguar “Rekuiem”, sëmuret rëndë. Pavarësisht nga mjekimet dhe përkujdesjen e mjekëve më të njohur të Vjenës, gjendja e tij sa vinte dhe keqësohej, kështu ai vdiq me 5 dhjetor, 1791. Nuk ka asnjë raport në këtë datë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së tij, kurse ai u varros në një varrezë periferike pa shumë ceremoni. Për shkak se familja apo admiruesit e tij nuk vunë menjëherë shenjë dalluese mbi varrin e tij, vendndodhja e saktë e varrit të tij akoma nuk dihet. /KultPlus.com