6 Dhjetor, 2019 - 11:16 am
Xhemile Hysenaj
Në vitet e 70′ në një fshat të Kosovës, një fotografe suedeze fokusoi punën e saj në jetesën e shqiptarëve, duke shkrepur kështu fotografi të cilat do të ekspozoheshin në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, pothuajse 40 vjet pas realizimit të tyre, shkruan KultPlus.
Mbrëmë zyrtarisht u hap ekspozita ”Jeta në fshatin shqiptar. Isniq, Kosovë 1976”, ekspozitë kjo që kishte për qëllim të vinte në pah mënyrën e jetesës të shqiptarëve, e kryesisht të grave, në Kosovën e viteve të 70′.
50-të fotografi bardh e zi, kishin mbushur muret e galerisë, 50-të jetë shpaloseshin para dashamirësve të fotografisë dhe jo vetëm. Në mesin e të pranishmëve kishte edhe persona që kishin qenë protagonistë të fotografes Eek.
Fotografja Ann Christine Eek, për herë të parë vizitoi Kosovën në vitin 1976 dhe qëndroi për gati shtatë javë në fshatin Isniq, bashkë me antropologen Berit Backer. Këto dyja po punonin në një projekt që kishte për bazë zhdukjen e jetës tradicionale në fshat, duke realizuar kështu disa mijëra fotografi bardh e zi. Fokusuan punën e tyre në tregimet e pesë grave të fshatit.
Në fotografitë e varura në muret e galerisë, vareshin jetët e shumë grave shqiptare që ishin bërë protagoniste kryesore në punën e fotografes Eek. Në fotografi gratë e fshatit Isniq, ishin kapur tek zienin, punonin me bagëti, kujdeseshin për fëmijët, punonin në vek etj.
I pranishëm në ekspozitë ishte edhe Ramiz Spahiu, i cili është edhe përkthyes i librit të fotografes që do të trajtojë më gjerësisht jetën e fshatit në Isniq. Ai shprehej i nderuar që ishte pjesë e kësaj ngjarje, duke e konsideruar shumë të rëndësishme.
”Ndjehem i nderuar të jem sonte këtu në këtë ngjarje dhe që kam pasur rastin të përkthej librin e saj. Kjo mbrëmje më ktheu mbrapa në kohë, kur Berit Backer ishte në Kosovë, me të cilin pata bërë një intervistë, sepse paraqiste një kuriozitet të madh që një studiuese e re të vinte dhe të merrej me studimin e jetës dhe traditës të një fshati shqiptar. Këto fotografi na kthejnë mbrapa në kohën të cilën e kemi jetuar të gjithë, mirëpo është mirë pasiqë brezat e rinj mund të shohin si kemi qenë dhe si po vazhdojmë tutje”, u shpreh ai para të pranishmëve në ekspozitë.
E pranishme ishte edhe ambasadorja suedeze në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, e cila shprehej se përmes punës së Ann Christine Eek, na mundësohet që të njohim më mirë edhe njerëzimin.
”Kur sheh fotografi të tilla, të jepet përshtypja që janë realizuar 100 vite më parë, por, nga ana tjetër sheh fytyra të njëjta sikur të miqve tanë. Por, në të njëjtën kohë është një dokumentim tejet me rëndësi për një kulturë specifike siç është kultura shqiptare. Një dokumentim i tillë i cili do të na përcjellë edhe në të ardhmen është një kapitull shumë i rëndësishëm. Ndihem shumë mirë që në këtë ekspozitë kanë ardhur shumë njerëz, sidomos gjeneratat e reja, që në vitet e 70-ta, atëherë kur edhe janë realizuar këto fotografi, ishin shumë të vogël ose nuk kishin lindur fare”, vazhdoi tutje ajo.
Ambasadori norvegjez, Jens Erik Grondahl shprehej shumë i kënaqur me punën e fotografes, duke thënë se edhe pse Christine Eek është nga Suedia, ajo jeton në Norvegji dhe se gëzonte të drejtën të mburrej me sukseset e saj.
”Ajo çka Ann Christine ka kapur me aparatin e saj është mikpritja e popullit të Kosovës, unë kam udhëtuar në shumë qytete të Kosovës dhe vazhdoj ta shoh akoma këtë mikpritje nga qytetarët e Kosovës. Në Kosovë kanë ndryshuar shumë gjëra mirëpo një gjë që nuk ndryshon kurrë është mikpritja e kosovarëve”, deklaroi ai.
Në periudhën e viteve 69-79′, Ann Christine Eek, ishte pjesë e grupit të fotografëve të pavarur SAFTRA, të cilët kryesisht merreshin me fotografi gazetareske dhe dokumentare. Ky grup kishte mbledhur fotografë të angazhuar në fotografinë e preokupuar me çështje politike dhe sociale, duke funksionuar si agjenci fotografike jo-komerciale.
”Para se të vija në Kosovë kam bërë një studim për gratë që punojnë, kryesisht gratë që edhe punojnë edhe mbajnë familjen, pra situata me të cilën isha e preokupuar kishte të bënte me gratë në përgjithësi. Poashtu fillova të fokusohem kryesisht në mënyrën e jetesës së grave pasiqë atë kohë kishin filluar edhe grupe feministe që kërkonin të drejtat e tyre dhe dëshiroja të informohesha se për çfarë e kishin fjalën më saktësisht”, potencoi fotografja për KultPlus.
Jetët që shpaloseshin në fotografitë e realizuara, flisnin shumë për gratë që kaluan jetën e tyre në fshatrat e Kosovës. Aty paraqiteshin kryesisht gratë e fshatit Isniq, mirëpo këto fotografi në fakt paraqisnin jetesën e grave në gjithë territorin e Kosovës. Gra që punonin pa kompromise, që sakrifikonin shumë, që ushqimi dhe kujdesi për fëmijët ishte problemi më i vogël.
Ekspozita pritet të qëndroj e hapur për publikun deri më 13 janar 2020. / KultPlus.com