10 Dhjetor, 2019 - 5:10 pm
Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, me ç’rast edhe aktivistët e komunitetit truAktiv kanë organizuar një aksion rrugor “1651 storie pa za”, shkruan KultPlus.com
Ky organizim është realizuar përpara dy institucioneve të shtetit të Kosovës: Parlamentit dhe Qeverisë. Përmes këtij aksioni është shprehur revolta ndaj institucioneve të shtetit për punën e dobët të bërë për gjetjen e 1651 personave të pagjetur nga lufta e Kosovës.
Këtu keni njoftimin e plotë:
“Aktivistët e komunitetit truAktiv sot organizuan aksionin rrugor “1651 storie pa za” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut përpara Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo revoltë vjen si pasojë e neglizhencës institucionale për 1651 persona të cilët vazhdojnë të jenë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, ku të gjithë kanë prapavijë të ndryshme etnike. Duke e neglizhuar këtë çështje, institucionet e Kosovës vazhdojnë duke e mohuar të drejtën për të vënë drejtësinë në vend dhe të familjarëve të të pagjeturve për ta ditur të vërtetën rreth fatit të tyre.
Përmes këtij aksioni rrugor synuam që me ngritë vetëdijën qytetare dhe institucionale rreth çështjes së pazgjidhur të personave të pagjetur në Kosovë. Kjo cështje duhet të prioritizohet nga insitucionet si e drejtë fundamentale e njeriut për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë rreth personave të pegjetur. E në të njëjtën kohë që të dialogohet për zbardhjen e fatit të 1651 personave të pagjetur për të pasur paqe të mirëfilltë në mes të dy vendeve duke u ballafaquar me të kaluarën, e jo të dialogohet “sa për shkrepje të fotove”.
Ne sot e ngritëm zanin për 1651 personat e zhdukur gjatë luftës dhe familjarëve të tyre të cilët vuajnë mungesën e tyre dhe të vërtetës në baza ditore”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com