10 Dhjetor, 2019 - 9:00 pm
Freud ishte një neurolog dhe psikanalist austriak, themelues i psikanalizës, një ndër degët kryesore të psikologjisë. Ja disa kuriozitete nga jeta dhe disa rezultate të punës që ndoshta jo të gjithë i dinë.
Ishte pararendës i terapisë së kafshëve
Sigmund Freud e konsideronte të papërshkrueshme praninë e qenit të tij Jofi gjatë seancave të psikanalizës, si një formë qetësimi për pacientët. Jofi ishte mësuar aq shumë me seancat e të zotit, saqë me kohën kishte mësuar të llogariste dhe kohën për çdo takim. Kur ngrihej në këmbë, Freud e dinte se kishte ardhur momenti të ndërpriste takimin me pacientin.
Divani i famshëm i tij ishte një dhuratë
Gjithnjë në lidhje me seancat, divani i famshëm ku psikanalizonte pacientët ishte dhuratë nga njëri prej tyre, zonja Benevenisti. Ideja për të shtrirë pacientët në divan i erdhi në kohën kur praktikonte hipnozën dhe zbuloi se ishte më e thjeshtë t’i çonte njerëzit në fazën trans kur ishin të shtrirë.
I adhuronte purot
Freud pinte 20 puro në ditë dhe mes tymnajës, mërmëriste. “Ndonjëherë, një puro është thjesht një puro”. Prej tyre, Freud pati një tumor të rëndë në fyt, që e çoi drejt vdekjes në vitin 1939.
S’i kushtonte rëndësi veshjes
Thuhet se në dollapin e tij kishte vetëm tre komplete, tre veshje intime dhe tre palë çorape. Jo për të kursyer, por i dukej e kotë të shpenzonte për veshjet.
Pinte kokainë
Freud vuante nga dhembje të forta koke. Në moshën 28-vjeçare zbuloi kokainën, atëherë thuajse e panjohur. Nisi ta përdorte për terapitë kundër ankthit dhe për dhembjet e kokës, por u bë i varur, të paktën deri në moshën 40-vjeçare.
Ishte njohës i disa gjuhëve
Freud dinte disa gjuhë. Përveç gjermanishtes, fliste anglisht. Kur ishte i ri, mësoi spanjishten thjesht për kënaqësinë për të lexuar “Don Kishotin” në gjuhën origjinale.
U nominua 12 herë për çmimin “Nobel”
Një rekord i veçantë, por gjithsesi një rekord. Psikanalisti i famshëm u nominua 12 herë për çmimin “Nobel”, por nuk fitoi asnjëherë. Nominimet u ndërprenë, kur një ekspert, i emëruar nga komiteti i “Nobel”-it, deklaroi se puna e Freud nuk kishte prova shkencore.
Koleksiononte objekte arkeologjike
E lexuat mirë. Freud ishte koleksionist dhe pëlqente të mblidhte objekte arkeologjike të çdo lloji. Nuk dihet se si i gjente sendet, por në atë kohë ishte një praktikë e ligjshme. Sot, Freud do të kishte probleme të mëdha ta zgjeronte koleksionin e tij, që përfundoi në shtëpinë e vjetër të familjes, që është një muze i hapur për publikun.
Kishte një fiksim të madh
Thuhet se Freud ishte i fiksuar pas numrit 62. Mendonte se në atë moshë, 62 vjeç, do të vdiste. Por, në të vërtetë u shua në moshën 83-vjeçare. Nuk qëndronte asnjëherë në ndonjë dhomë hoteli që kishte atë numër.
Ka një krater të dedikuar në Hënë
Në Hënë, ka një krater të vogël që i është dedikuar pikërisht psikanalistit austriak. Ndodhet saktësisht në pjesën verilindore të pjesës së dukshme nga Toka.