31 Dhjetor, 2019 - 4:00 pm
Bujar Meholli
Kur flitet për rok grupin “Elita 5”, vetvetiu të sillen në kokë tingujt e bukur, tekstet kuptimplota dhe zëri unik i vokalistit Arif Ziberi.
Janë bërë 30 vjet prej se ata kanë dalë në skenë, fillimisht duke performuar nëpër kafene e mbrëmje rinore për t’u bërë më pas një grup i fuqishëm roku, një grup i konsoliduar që publikut shqiptar arriti t’i sjellë shumë albume muzikore me qindra hite që edhe sot e gjithë ditën dëgjohen, këndohen e performohen me ëndje vazhdimisht…
Këngët e tyre të para si “Mbrëmje rinore”, “Mirë e di”, “Si Merlin Monro”, e deri te hitet “Unë e di se ku të dhemb”, “Faleminderit”, “Dua të vdes”, “Al Kapone”, “Zemra e thyer”, “Dashuria është diçka tjetër”, “Ti e vrave dashurinë”, “Çmendem” e shumë të tjera kanë mbetur thesar i skenës muzikore shqiptare, duke i vënë ata në piedestal si grup.
Zakonisht, një rok grup nuk e ka të lehtë t’i rezistojë kohës apo edhe rrethanave tjera, shpesh grupet e famshme kanë ndryshuar formacionin apo në të shumtën e rasteve vokalistin.
Por te “Elita 5” kjo nuk ka ngjarë për gjithë këto vite. Ata vazhdojnë të jenë të njëjtit që kur kanë filluar performancat në vitet ’90.
Nexhat Mujovi (sintisajzer-producent), Agron Idrizi (bas kitarë), Besim Ibraimi (daulle), Mevaip Mustafi (solo kitarë), e vokalisti Arif Ziberi janë muzicientët e njëjtë të cilët e krijuan grupin “Elita 5” dhe të cilin arritën ta mbajnë përgjatë këtyre viteve, me edhe një anëtar të shtuar, Valon Gashin (kitarë).
I formuar në Tetovë në vitin 1987, grupi preku zemrat e gjithë shqiptarëve anembanë botës me tekstet e bukura të gërshetuara në baladat aq prekëse që di t’i interpretoj Arif Ziberi. “Elita 5” dha qindra koncerte, qindra organizime të ndryshme kudo ku ka shqiptarë.
Në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus, vokalisti Arif Ziberi shpalos gjëra interesante. Ai tregon se çfarë do të thotë për të grupi “Elita 5”, cilat grupe të famshme kanë qenë inspirim për ta, e si i sheh ai artistët e rinj dhe artin e sotëm në përgjithësi…
KultPlus: Çfarë do të thotë për ju personalisht grupi “Elita 5”?
Për mua grupi “Elita 5”, do të thotë thjesht kuptim i jetës.
KultPlus: Në vitet ’90 kur edhe është shfaqur “Elita 5” ishin vitet e arta për muzikën rok, cilët ishin këngëtarët dhe grupet që ju inspiruan?
Sigurisht në fillet tona kemi pasur inspirime nga grupet e mëdha botërore si: Bon Jovi, Deep Purple, Toto e plot të tjerë.
KultPlus: Janë bërë shumë vite për “Elitën 5” në skenë, e ndjeni veten të lodhur nga gjithë ky rrugëtim?
Mbase do të thonit se mosha e bën të veten. Edhe tek ne mosha e bëri të veten, por për të mirë. Na thonë se jemi sikur vena, sa më e vjetër, aq më e mirë.
KultPlus: A po i jep grahmat e fundit muzika rok, sipas jush?
Tek ne muzika rok ka mbetur një gjysmë hobi le të themi. Ajo që na gëzon është se në skenën botërore roku ka invazion të vërtetë, e këtë e shohim edhe si shtytje për zhvillimin e rokut në trevat tona.
KultPlus: Tekstet e “Elitës 5” përçojnë mesazhe në shoqëri, a mendoni se teksti dhe muzika janë gërshetim i një krijimi harmonjoz?
Për ne dhe grupin tonë, kënga nuk quhet e përfunduar nëse teksti dhe muzika nuk e kanë kiminë e njëjtë.
KultPlus: Kohët moderne (zhvillimi i teknologjisë) kanë krijuar kushte që skena të gëlojë nga artistët e rinj, por realisht si i shihni ju ata? Mendoni se mund të lënë pas vepra që do t’i rezistojnë kohës?
Sinqerisht më vjen keq që artistët e rinj e kanë për cak të bëjnë këngë që dëgjohen dy javë. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë kualitet dhe nuk kanë se si të lënë gjurmë.
KultPlus: A mendoni se gjithnjë e më shumë po i bie rëndësia grupit klasik muzikor si shkak i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë?
Grupi klasik muzikor po e humb vlerën vetëm tek ne. Pra, mundohen që të gjitha instrumentet të zëvendësohen me sintisajzer, në mënyrë që këngëtari të përfitojë me shumë. Por kjo nuk sjell kualitet dhe është jetëshkurtër.
KultPlus: Me çfarë preferoni të merreni jashtë muzikës?
Kohën e lirë preferoj ta shfrytëzoj me anëtarët e shtëpisë, po ashtu kam dëshirë të eci shumë…
KultPlus: A ekziston vërtet ndonjë sekret i jetëgjatësisë në skenë, apo ajo vjen si rezultat i punës së madhe kolektive?
Çelësi i jetëgjatësisë tonë është përkushtimi i madh në punë. Derisa të tjerët nxjerrin pesë këngë në vit dhe harrohen menjëherë, ne nxjerrim një këngë dhe mbetet hit për pesë vite e më shumë…
KultPlus: Filozofi gjerman Fridrih Niçe që ishte adhurues i madh i muzikës, shprehet se: “Pa muzikë, jeta do të ishte gabim!” Pajtoheni me këtë thënie të famshme?
Jo rastësisht Niçe llogaritet si filozofi më i njohur i të gjitha kohërave. Besoj se i gjithë njerëzimi pajtohet me këtë thënie të tij. /KultPlus.com