4 Janar, 2020 - 3:23 pm
Prestigjiozja “Financial Times” e rendit Shqipërinë mes destinacioneve për t’u vizituar në vitin që sapo ka nisur, 2020.
Në një artikull kushtuar vendeve që duhen vizituar gjatë këtij viti, “Financial Times” shkruan se Shqipëria tërheq vizitorët me malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdetin e shkëlqyer, qytetet e lashta, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritjen.
Më poshtë pjesa për Shqipërinë, në artikullin e “Financial Times”.
Shqipëria
“Mali i Zi ishte destinacioni kryesor i vitit 2019, por i gjithë rajoni është në rritje”, sipas Jonny Bealby, themeluesi i kompanisë britanike të turizmit të aventurës “Wild Frontiers”, i cili njofton se rezervimet për vitin 2020 janë rritur me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Vizitorët tërhiqen nga malet, kanionet dhe lumenjtë, bregdeti i shkëlqyer, qytetet e lashtë, rrënojat greke dhe romake, qytezat e epokës otomane dhe mikpritja e vendasve”.
Alpinistët po zbulojnë që Bjeshkët e Namuna në veri të vendit – një mollë e ndaluar gjatë epokës së izolimit komunist të vendit dhe gjatë luftës në Kosovë, ofrojnë sot një alternativë ndaj Alpeve, ku turizmi është thuajse i pazhvilluar. Ndërkohë, numri i vizitorëve në objektet historike po rritet vazhdimisht, dhe jo vetëm në parkun arkeologjik të Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, për të zbuluar rrënojat romake, bizantine dhe otomane anembanë vendit.
Ndërkohë, në një atmosferë krejt tjetër, Festivali i Muzikës në Kala, një aktivitet një-javor në bregdetin jugor të Dhërmiut, po e rendit Shqipërinë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e rinj, njëlloj siç ka ndodhur në rastin e festivaleve “Garden”, “Outlook” dhe “Sonus” në Kroaci.
Për të shpalosur entuziazmin e autoriteteve shqiptare për zhvillimin e turizmit, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e parë të Festivalit të Kalasë në vitin 2018. “Njerëzit e mendojnë si një vend ku mund të grabiten, ose vriten”, u shpreh Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp, sipas gazetës britanike “The Guardian”. “Por stigma na ka ndihmuar. Kur dikush e viziton këtë vend dhe shpëton gjallë, ata kuptojnë se këtu është parajsë”!
Shifrat duket se vërtetojnë thëniet e tij: numri i vizitorëve të huaj në 11 muajt e vitit 2019 arriti në 6.1 milionë, ose 8.3 për qind më shumë se në vitin 2018, dhe një shifër shumë më e lartë se 1.9 milionë turistë që vizituan vendin gjatë gjithë vitit 2009./atsh/ KultPlus.com