10 Janar, 2020 - 3:00 pm
Arkitektit të famshëm danez Bjarke Ingels, projektuesi i ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar në Tiranë i është besuar një nga projektet më inovatore në Japoni në fushën e arkitekturës.
Një qytet i ri, jo vetëm si ndërtim por edhe si koncept dhe mënyrë jetese, do të ndërtohet afër malit të shenjtë Fuji, në Japoni. Një qytet që e prodhon vetë energjinë që i duhet, nuk ndot ambientin sepse çdo mjet transporti funksionon me energji diellore dhe hidrogjen, e gjitha e lidhur në rrjet.
Nuk është një fantazi e shekujve të ardhshëm, por projekti konkret i kolosit të automjeteve japoneze Toyota, në bashkëpunim me një nga arkitektët më të famshëm në botë, danezit Bjarke Ingels.
Projekti u prezantua në Las Vegas nga vetë arkitekti, i njohur në Shqipëri edhe si projektuesi i përzgjedhur fillimisht për godinën e re të Teatrit Kombëtar, bashkë me CEO e Toyotës, Akio Toyoda.
Qyteza, që mund të mbajë fillimisht rreth 2 mijë banorë, do të zhvillohet në një perimetër rreth 70 hektarë ku më parë ndodhej një fabrikë tekstile, nga e cila do të trashëgojë emrin: Woven City.
Pjesë e mirë e banorëve do të jenë punonjës të Toyotës, por edhe shkencëtarë që do të duan të eksperimentojnë në terren si mund të zhvillohen qytetet e të ardhmes.
Mjetet e transportit do të jenë kryesisht të automatizuar dhe pa drejtues, ndërkohë që pjesa më e madhe e godinave do të jetë e ndërtuar me dru dhe xham, të ngrohur nga çati që do të përbëhen nga panele diellore. “Është pjesë e përgjegjësive të kompanive të mëdha si e jona të japim kontributin për të shndërruar planetin tonë në një vend më të mirë për të jetuar”, deklaroi Toyoda.
Arkitekti me famë botërore, i cili ka projektuar Teatrin e ri Kombëtar, Bjarke Ingels që drejton një nga kompanitë më të njohura në botë në fushën e arkitekturës “Bjarke Ingels Group”, ose siç njihet shkurt BIG, që e ka qendrën e saj në Kopenhagen dhe Nju Jork, dhe përfshin arkitektë, projektues dhe ndërtues. Kjo studio ka realizuar një sërë projektesh të rëndësishme në vende në ndryshme, ndërkohë që aktualisht është e përfshirë në një numër të madh projektesh në të gjithë Evropën, Amerikën e Veriut, Azinë dhe Lindjen e Mesme.
Edhe projekti për Teatrin e ri Kombëtar nga Bjarke Ingles ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për publikun, i cili mund të ndeze imagjinatën. /KultPlus.com