Prindërit e varur nga teknologjia ndikojnë shumë në zhvillimin e fëmijëve

10 Janar, 2020 - 10:28 pm

Sa orë në ditë e përdorni telefonin?

Jini të sinqertë. Sa kohë kaloni në rrjete sociale, shikoni video interesante, lexoni artikuj, kontrolloni motin, luani lojëra, apo kërkoni diçka interesante në Google? Sa shpesh e mbani telefonin në duar përderisa pritni në radhë, thjesht për ta kaluar kohën ose për shkak të shprehisë?

Teknologjia është gjithkund. E ka ndryshuar botën tonë dhe do të jetë këtu përgjithmonë. Me vetëm majën e gishtërinjëve mund të kemi çasje në pafund informacione. Ne pothuajse nuk kemi nevojë të dalim nga shtëpia fare nëse nuk duam. Mund të bëjmë gjithçka me telefon.

Është e zakonshme të drejtojmë gishtin tek gjeneratat e reja pse janë të varur nga teknologjia, por të jemi të sinqertë, gjeneratat më të vjetra, përfshirë edhe gjyshërit janë të njejtë. Dallimi i vetëm është se gjeneratat më të vjetra i mbajnë mend kohërat para telefonëve të mençur, madje edhe para internetit.

A keni menduar ndonjëherë si na ka ndikuar teknologjia? Si e ndikon shëndetin dhe zhvillimin tonë mendor? Si i ndikon fëmijët? Ata nuk njohin një botë pa telefona të mençur, tabletë dhe laptopë.

Shumë kohë e kaluar para ekranit shkakton probleme të sjelljes tek fëmijët
Të kaluarit e orëve të tëra në internet dhe duke përdorur teknologjinë ka ndikim negativ në shëndetin fizik dhe mendor të të rriturve. Fëmijët që ngjiten para ekranit e kanë edhe më keq. Një studim i ri nga Universiteti i Miçiganit ka treguar se koha para ekranit mund të ketë ndikime serioze negative në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.

Rezulton që, kjo varet shumë nga prindërit. Prindërit që kalojnë shumë kohë në telefonat e tyre, laptopë apo pajisje tjera teknologjike, duke përfshirë televizorin, tentojnë të kenë marrëdhënie më pak kuptimplote dhe jo të përmbushura me fëmijët. Për pasojë, fëmijët ndihen të parëndësishëm ose të frustruar. Ata mund të sillen në mënyra me të cilat tentojnë të marrin vëmendje.

Studimi paralajmëron për lidhjen mes përdorimit të teknologjisë nga prindërit dhe sjelljes së fëmijëve.

Studimi është bërë duke ekzaminuar 170 familje dyprindërshe me fëmijë të moshës 3 vjeçe, në SHBA. Prindërit u janë përgjigjur pyetjeve rreth shprehive të tyre të përdorimit të teknologjië. Sa shpesh, sa gjatë dhe si e përdorin teknologjinë. Studimi është përqëndruar në kohën e penguar të familjes, si dërgimi i mesazheve apo të qenit online gjatë lojës ose vakteve të ushqimit.

Prindërve u është kërkuar edhe t’u përgjigjen pyetjeve rreth sjelljes së fëmijëve të tyre, nëse ata janë të irrituar, ankohen, të hidhëruar, apo nëse janë sjellë keq gjatë dy muajve para studimit. Studiuesit kanë marrë parasysh faktorë si të ardhurat e familjes, arsimimi, stresi, ankthi edhe faktorë të tjerë të mundshëm jashta teknologjisë, pastaj e kanë ekzaminuar marrëdhënien mes pengesave në kohën e kaluar me familjen dhe sjelljes së fëmijëve.

Megjithëse janë të nevojshme hulumtime të mëtejshme për të parë nëse ka lidhje të drejtëpërdrejtë mes përdorimit të teknologjisë nga prindërit dhe sjelljes së fëmijëve, studimi ka treguar se një lidhje e tillë ekziston me siguri. Përdorimi i teknologjisë nga nëna është veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për sjelljen.

Efektet tjera shëndetore të kohës para ekranit

Të kaluarit shumë kohë para ekranit dhe në një botë virtuale mund të ketë shumë ndikime tjera negative krahas “sjelljes së keqe”.

Disa nga këto ndikime negative përfshijnë:

Probleme me shikimin dhe shëndetin e syve

Depresion dhe probleme tjera të shëndetit mendor

Vështirësi në zhvillimin e trurit dhe mësim

Probleme me qafën, shpinën dhe probleme tjera muskuloro-skeletore si rezultat i qëndrimit të keq

Probleme të shëndetit kardiovaskular

Rrezik nga diabeti

Probleme me mungesë të vëmendjes

Probleme me gjumin

Obezitet dhe mbipeshë

Krahas ndikimeve negative, teknologjia megjithatë ka dobi të shumta për ne personalisht dhe për botën. Nuk mund ta ndalojmë atë krejtësisht. Pyetja është se si ta përdorim pa rrezik, t’i mbrojmë fëmijët tanë dhe të krijojmë një familje dhe shtëpi të lumtur e të shëndetshme.

Si të mbroni veten dhe familjen nga efektet negative të teknologjisë
Kufizojeni kohën para ekranit për të gjithë. Po, kjo përfshin edhe të rriturit. Vendosni rregulla dhe përmbajuni atyre. Sigurohuni të kaloni kohë cilësore me fëmijët tuaj, të pandërprerë nga teknologjia.

Jo telefona në tavolinën e bukës. As në mëngjes, as në drekë, as në darkë. Jo telefona gjatë vakteve të ushqimit, pikë. Kaloni kohë sëbashku. Shijojeni ushqimin. Mos nxitoni. Bisedoni, lidhuni, dhe qeshni.

Zgjedhni aktivitete në vend të filmave. Netflix është argëtues. T’i bësh fëmijët të shohin një film vizatimor ndihmon. Një natë filmi me familjen është mënyrë argëtuese për të kaluar kohë sëbashku. Por zgjedhja e aktiviteteve që ju lejojnë ndërveprim, krijon një lidhje më të mirë mes jush. Luani lojëra, ngjyrosni..

Dilni jashtë. Të kaluarit kohë në natyrë është e mirë për shëndetin. Edhe nëse jetoni në një qytet të madh, ju bën mirë të dilni në xhunglën urbane. Dalja nga shtëpia nuk duhet me patjetër të jetë jashtë. Shkoni në muze, teatër, shkoni në bouling. Fikni telefonat dhe jini të pranishëm me njëri-tjetrin.

Mbajeni telefonin në “funksion aeroplani”. Nuk e keni patjetër të shihni menjëherë çdo mesazh, çdo postim në rrjete sociale, çdo lajm. Fikni ato cingërimat e vazhdueshme të telefonit, veçanërisht në mbrëmje, gjatë kohës së gjumit ose kohës së detyrave të shtëpisë për fëmijët.

Këto këshilla mund t’ju ndihmojnë të rrini të lidhur me familjen dhe ta shmangni ose ta zvogëloni ndikimin negativ të teknologjisë./supergrate.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme