14 Janar, 2020 - 6:13 pm
Sot në Prishtinë është mbajtur marshi ‘Dhunuesi je ti’, ku një grup i vajzave edhe kanë performuar këtë himn, kundër dhunës ndaj grave e cila ushtrohet nga burrat.
Performanca e sotme solli himnin feminist me origjinë nga Kili, një përpjekje për të ndihmuar në kauzën kundër dhunës ndaj grave.
Në anën tjetër, në rrjetet sociale kanë shpërthyer komentet që kanë ngjyrim patriarkalist dhe shpesh me plot urrejtje kundër performancës dhe vajzave që kanë zgjedhur këtë formë të protestimit.
Një pjesë e madhe e komentimeve janë bërë nga, jo çuditërisht, burrat.
Aktivistet për të drejtat e njeriut i kanë shpërndarë fotografitë e komenteve nëpër rrjete sociale, të cilat shpesh janë edhe denigruese dhe përmbajnë gjuhë të urrejtjes nga profile që nuk janë të rrejshme, por kanë identitet të burrave.
Në Kosovë, vetëm gjatë tri viteve të fundit (janar 2017- tetor 2019) janë vrarë 11 gra si pasojë e dhunës në familje. Gratë po vazhdojnë të vriten sot e kësaj dite! Në këtë periudhë ka pasur 3394 gra që kanë raportuar dhunën. Edhe pse numri i raportimeve të dhunës vazhdon të rritet, mbetet i ulët në krahasim me dhunën që nuk raportohet.
Në postime është komentuar edhe për Policinë e Kosovës, e cila do të duhej të merret me komentet dhe me gjuhën e urrejtjes edhe në rrjetet sociale. / KultPlus.com