Albin Kurti në KultPlus: Duhet ta zvogëlojmë Ministrinë e Kulturës e ta rrisim kulturën

17 Janar, 2020 - 11:31 pm

Bujar Meholli

Fotografitë nga Nok Selmani

Diskutimet janë gjithmonë të dobishme për një shoqëri, aq më tepër kur ato bëhen për kulturën, fushën që e përmbush shoqërinë.

Dhe duke parë nevojën e madhe për të pasur debate të tilla me theks të veçantë tek zhvillimet kulturore, KultPlusi, mediumi që i kushtohet tërësisht kulturës dhe zhvillimeve të saj ka nisur kampanjën e diskutimeve me figurat e rëndësishme të shoqërisë kosovare, në të cilat shprehen kërkesat, idetë e ndryshme drejt progresit kulturor.

Sonte në ambientet e KultPlus Caffe Gallery që tashmë është shndërruar në një fole të artistëve shqiptarë, u mbajt bashkëbisedimi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe bashkëpuntorët e tij Yll Rugovën dhe Saranda Bogujevcin.

Albin Kurti si një nga figurat më të rëndësishme të politikës kosovare, diskutoi me publikun që në masën më të madhe përbëhej nga njerëz të sferës së artit, për problematikat në këtë fushë aq të rëndësishme për shtetin, ku ndër të tjera u përfol reduktimi i ministrive që është supozuar se mund ta prek Ministrinë e Kulturës, e cila veç tjerash është thënë se mund t’i shkojë komuniteteve pakicë në Kosovë, madje edhe të largohet fare nga plani qeverisës.

Në kuadër të këtij debati, veç problemve dhe aspiratave, u diskutuan për preokupimet e komunitetit artistik.

Bashkëbisedimi u zhvillua mbi kulturën specifikisht si dhe trajtimin që kësaj të fundit ia ka bërë e do t’ia bëjë në të ardhmen spektri politik. Fokusi ishte tek programet konkrete të subjekteve politike kosovare si dhe serioziteti i tyre me komunitetin artistik.

Redaktori i KultPlusit Arbër Selmani në fillim të kësaj ngjarjeje e vëri theksin fillimisht tek formimi intelektual i Kurtit dhe lidhja me kulturën gjatë rrugëtimit të tij, qysh si prijës i protestave e deri tek shndërrimi i tij në figurë kyçe të sferës politike kosovare.

“Jam i nderuar dhe gëzuar që ndodhem në mesin tuaj sonte, dhe që do të bashkëbisedojmë hapur për këtë temë kaq të rëndësishme e cila është brenda jetës së secilit prej nesh dhe brenda jetës dhe formimit tim”, e nisi Kurti diskutimin, duke vazhduar:

“Një autor thotë se është një dallim interesant midis shkencës dhe artit, dhe secili i tyre është i diskutueshëm. Shkenca është konkluzion nëpërmes premisave, ndërkaq arti është konkluzion pa premisa”.

“Në formimin tim jetësor, unë jam marrë shumë me shkençë në fillimin e mesëm dhe universitar, por sa më afër politikës aq më afër artit dhe kulturës, një lloj kalimi prej konkluzioneve nëpërmjet premisave që është më afër logjikës, te konkluzionet pa premisa që është më afër estetikës dhe ky është një ndër dimensionet më të rëndësishëm të rrugëtimit tim jetësor dhe profesional”, ka potencuar Kurti.

Tutje ai tha se arti është realitet dhe se të gjithë do të duhej të kenë qasje në të.

“Arti është realitet, ai do të duhej të ishte i tillë dhe të gjithë të kenë qasje në të, sepse nuk është si shumë fusha të tjera. Kur flasim për Ministrinë e Kulturës, ajo si e tillë nuk është koncept i vjetër, është dikund rreth 60-vjeç dhe vjen prej Francës sepse Malrou si themelues ishte historian arti dhe ishte i interesuar që popullata franceze të ketë qasje sa më shumë në art dhe kulturë”.

“Në këtë mënyrë nisin Ministritë e Kulturës nëpër Evropë, diku si departamente, diku si sekretariate, diku si decentralizim brenda një morie ministrish tjera. Ministria, pra, e ka zanafillën tek shërbimi i qytetarëve në kulturë dhe art, pra, është për të gjithë qytetarët për të krijuar një barazi në qasje në mënyrë që prodhimi artisik të mos jetë vetëm për një shtresë shoqërie të privilegjuar”.

Kurti insistoi që shoqëria duhet ta bëjë artin kulturë, sepse ajo duhet të jetë më shumë artistike dhe kronologjike.

“Duhet të jetë detyrë e një shoqërie që sa më shumë artin ta bëjë kulturë, sepse ka edhe kulturë joartistike, por tendencën duhet ta kemi që kultura të jetë sa më artisitke dhe arti të jetë sa më shumë kulturë. Derisa arti është realitet, kultura është vazhdimësi, arti është më parë ngjarje ndërsa kultura më parë është gjendje, pra duhet ta bëjmë ngjarjen të jenë sa më të shumta, dhe në anën tjetër t’i bëjmë gjendjet sa më interesante, ta bëjmë kulturën artistike”.

“Në synimin tonë, ne duam që institucionet ta kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm sepse besojmë se ato duhet të ekzistojnë. Posaçërisht Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve duhet të kenë financimin e rregullt, sepse pasiguria e artistëve tanë është plot ankth dhe shpesh i shtynë ata jashtë kulturës për të mbijetuar”.

Edhe institucioni i Operas dhe Baletit që tash e sa kohë mungon, Kurti tha se është në prioritetet e tij sepse ai Operan e sheh si popullore, dhe jo si lloj për një shtresë shoqërore të privilegjuar.

“Teatri i Operas dhe Baltetit është e domosdoshme që të ndërtohet sepse kemi ngelur ende pa e themeluar këtë institucion që është elementar. Opera nuk është vetëm për të privilegjuarit, Filharmonia është më tepër e tillë, nuk duhet ta mendojmë që aty duhet të shkojnë vetëm disa njerëz të zgjedhur, të cilët le të themi janë pjesë e shtresës dominuese të shoqërisë.”

“Opera dhe Baleti janë për masa të gjera, pra, janë për popullin, dhe si të tilla nuk do të duhet të shiheshin si lloj i privilegjuar për njerëz të tillë, është tejet e rëndësishme se si do të themelohet ky institucion, sepse skena e pavarur është ajo që ndihmohet dhe institucionet do të duhej të kenë financim të përhershëm nga buxheti i shtetit.”

I pyetur për Ministrinë e Kulturës, Kurti sqaroi se ai nuk e ka menduar asnjëherë shuarjen e saj, përkundrazi sipas tij ajo është menduar të jetë brenda 12 ministrive.

“Jemi dakorduar t’i zvogëlojmë në 12 ministri dhe ministria e Kulturës është njëra prej 12 ministrive, dhe është diskutuar që sporti t’i bashkangjitet shëndetësisë, por nuk jemi dakorduar për këtë, rrjedhimisht nuk e kemi një qëndrim final”.

Për sukseset e artistëve shqiptar nëpër botë Kurti tha se ata duhet të ndihmohen edhe kur vetëm janë talentë premtues. Ai tha se është i gëzuar që filmi shqiptar ka arritur progres dhe sukses edhe në arenën ndërkombëtare.

“Sukseset që kanë treguar filmat tanë në vitet e fundit janë mbresëlënëse, dhe prej asaj çka bën ministria e shtetit, deri te Dokufesti kemi shembuj të mirë që natyrisht do të duhej të kenë mbështetje shtesë, për atë që duket premtuese, e lëre më për atë që tashmë është dëshmuar si e suksseshme”.

Në anën tjetër, Saranda Bogujevci e pyetur nga moderatori Selmani, ndër të tjera foli për ekspozitën e saj, në të cilën shpalosen përjetimet nga lufta e fundit. Ajo ishte kritike ndaj institucioneve të deritashme për mospërkrahje, derisa tha se ekspozita dhe aktivitete të tilla duhet të jenë në plan të institucioneve relevante.

“Arti ka treguar gjithherë që është njëfarë lloj ure që kalon në anën tjetër, ku arrin të tregosh një tregim, si në këtë rast për krimet e luftës. Pjesa tjetër është që është bërë punë për të treguar me çfarë është ballafaquar populli shqiptar në kohë lufte”, tha ajo.

“Kemi shumë gjëra që duhet t’i rregullojmë, si fjala vjen te trashëgimia kulturore, dhe mendoj që ky aspekt lidhet shumë me trashëgimi dhe ruajtjen e saj. Mandej puna dhe investimi për punën në këtë drejtim, është me rëndësi që ta kemi këtë fokus të cilin ne e kemi, pra zhvillimi i diplomacisë, që duhet ta bëjmë kolektivisht”, potencoi Bogujevci.

Yll Rugova nga ana tjetër tregoi për “Manifestan” duke e cilësuar si hap të parë drejt ndërtimit të urave me institucionet tjera botërore, dhe për herë të parë Prishtinën si qendër arti për aq muaj sa do të zgjas ajo.

“Ideja ka qenë që Prishtina të jetë nikoqire, dhe “Manifesta” e vendos fokusin në Kosovë, ku do të nxis edhe ndjekjen e artit si profesion sepse fatkeqësisht njerëzit e shohin artin si një fushë për lëmoshë, e madje edhe institucionet e trajtojnë si të tillë. Besoj se ky institucion do të bëjë një ndryshim në këtë drejtim”, u shpreh Rugova.

“Manifesta, besoj që do të jap rolin e vet sepse do të sjellë rreth 200, 000 vizitorë në Kosovë, ndërsa sipas një kalkulimi rreth 20 milionë euro do të jetë përfitimi i shtetit tonë nga ky organizim”.

Rugova bëri thirrje që kultura të shihet si gjenerator që jo vetëm nxit por ka edhe vetqëndrueshmëri.

Nga pyetjet e publikut drejt Kurtit, ishte edhe artisti Kushtrim Koliqi i cili shprehi shqetësimin e tij për zhvillimin e audiencës, ai tha se do të duhej të ishte një trajtim më serioz nga shteti sepse momentalisht audienca është spontane dhe jo e zhvilluar aq sa do të duhej sepse mungon një strategji e tillë nga ana e shtetit.

Në fund të bashkëbisedimit, Kurti u ndal te edukimi i njerëzve përgjithësisht, të cilëve u bëri thirrje të inkuadrohen në jetën kulturore, rrjedhimisht t’i shfrytëzojnë vitet e tyre për t’i shijuar veprat e arrira artistikisht.

“Kemi institucione të cilat janë në mungesë të kushteve dhe në fund kultura nuk afirmohet mjaftueshëm sepse mungon shikuesi. Një numër i madh i njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se çka humbin kur një shfaqje, nuk shohin një film apo kur nuk lexojnë një libër. Kjo është çështje e edukimit. Pra, do ta fusim arsimin brenda kulturës në mënyrë që të arsimojmë sa më shumë për kulturë, sepse fatkeqësisht një numri njerëzish po ju ikin vitet pa i shijuar veprat e mira artistike” përfundoi Kurti.

Përfundimet e debateve të KultPlusit si zakonisht përmbyllen me koktej, sikurse edhe në këtë mbrëmje, ku Kurti dhe panelistët tjerë u takuan me audiencën për një dolli çasti dhe për përjetësim të kësaj ngjarjeje përmes fotografisë.

KultPlusi do të vazhdojë me debate tjera mbi skenën e artit dhe kulturës në vend.

(Ngjarja u mbështet nga Fluidi, Birra Beg dhe Uji Dea) / KultPlus.com

Të ngjajshme