24 Janar, 2020 - 7:30 pm
Intervistë me kritikun Harold Bloom
Poezia kurë për dhunën, burim mendimesh, antihelm për melankolinë dhe mur kundër rrëshqitjeve politike. Nuk bëhet fjalë për ndonjë armë të re sekrete psikologjike apo ushtarake, por flitet për poezinë. Veç kësaj për të flet profesori i Yale University, kritiku i madh Harold Bloom, i cili para ca kohësh botoi antologjinë “Vjershat më të bukura të gjuhës angleze” (The Best Poems of the English Language). Vetëm atij, mbase kritiku më i njohur letrar në botë, mund t’i lejohej një provokim i këtij lloji: propozimin e poezisë si ilaç universal ndaj së keqes botërore, ndërsa njerëzimi kërcen në skajin e një lufte epokale. Gazetari italian i gazetës “La Stampa”, Paolo Mastrolilli, i mori një intervistë me dilemën; a ia vlen ende botimi i një libri me 972 faqe, në të cilin përmblidhen poezitë më të mira shkruar në anglisht, që nga Geoffrey Chaucer lindur, më 1343 e Hart Crane i datëlindjes 1899. “Është antologjia -shpjegon Bloom- që kam ëndërruar gjithmonë ta kem. Pak faqe me komente e shumë literaturë, kjo që më ka shoqëruar e gjallëruar ekzistencën time qysh kur isha dymbëdhjetë vjeç”
• Ju shkruani se në çaste jo të këndshme recitoni me zë të lartë “Odisean” e Alfred Tenyson-it: a vërtetë poezia në shoqërinë e shfrenuar të sotme, mund të ketë ende këtë funksion balsami e katarsi?
• Justifikimi kryesor për studimin e letërsisë imagjinuese, Biblës, Shën Agostinit, Petrarkës, Dantes, Shekspirit, Tolstoit, Servantesit, Manzonit, është pikërisht këtu, për të luftuar depresionin dhe melankolinë, për të kuruar dhunën. E me që ra fjala, askush nuk e kuron dhunën si Dantja.
• Libri yt fillon me një esse të titulluar “Arti i të lexuarit të poezisë”; si mësohet ky art?
• Duke bërë atë që u kërkoj edhe studentëve të mi. I ftoj të zgjedhin një poezi, ta lexojnë me zë të lartë e pastaj në heshtje për një javë, pastaj të vinë tek unë për ta recituar pasi ta kenë mësuar përmendësh. Vetëm pas këtij asimilimi të plotë, që të godet në zemër, (veçse duhet orientuar edhe nga një njohje kritike e tekstit), mund t’i kuptojmë në thellësi vlerat e letërsisë imagjinuese.
• Me mësua poezi përmendësh në shkollat e sotme?
• Arsyeja kryesore e devijimit politik në Shtetet e Bashkuara qëndron në faktin se nuk mësojmë më të lexojmë. Xhorxh Bush është nga presidentët më të këqij të historisë së vendit dhe qeverisja e tij është më e tmerrshmja nga të gjitha pikëpamjet : politika e jashtme, ajo e brendshmja, sociale e kulturore. Më vjen keq të theksoj se ai është laureuar në Universitetin tim ; është një gjysmë analfabet dhe besoj se nuk ka lexuar kurrë gjatë jetës së tij një libër nga kreu deri në fund. Fakti i të qenit president, sigurisht që do të thotë shumë për kombin tonë. Ndoshta poezia mund ta kuronte do t’ia mënjanonte prirjen që ka për dhunë.
• E çfarë mund të kuronte kjo te terroristët?
• Të njëjtën gjë. Ata vijnë nga një vend me traditë të madhe kulturore. Kurani është një vepër e jashtëzakonshme poetike. Për fat të keq ata kanë preferuar ta lexojnë në manierën libreske duke ndjekur interpretimin e egër “wahabi” (sekt fetar myslyman. NGj.).
• Vërtetë poezia mund sjellë në vete marrëzinë që duket sikur po i vjen vërdallë botës?
• Nuk ka mundësi të mendosh në mënyrë korrekte pa i besuar kujtesës. E në qoftë se në kujtesë nuk kemi kujtimet e faqeve më të mrekullueshme që ka shkruar njerëzimi, mendimet tona do të bjerrin në mënyrë të pashmangshme. Provo ta lexosh me seriozitet Makiavelin, jo veç ta shfletosh përmbledhtas, e do të kuptosh se çfarë është në të vërtetë republika. Por fatkeqësisht në Shtetet e Bashkuara nuk lexojmë më, sepse të gjithë e fyejnë korrektesën në politikë, ndërsa në Itali nuk lexoni më se jeni dhënë pas “vocational traning” (kurseve të kualifikimit), studimeve mbi teknologjinë dhe pas biznesit.
• Sidoqoftë gjendet një mbështetje që poezia në Amerikë është ende e gjallë, p.sh falë muzikës rap.
• Të lutem, i dashur, mos thuaj kësi gjërash. Njëherë mblodha tekstet e këngëve të Bob Dylan-it, njeri me kulturë të mirë dhe i kërkova nëse i pëlqenin. M’u përgjigj se nuk i lexonte kurrë lirikat e veta, por lexonte ato të Wallace Stevens. Ky vendim duhet të vlejë për të gjithë. Rap-i, fenomeni hip-hop janë akti i vetëzgjedhur më i tmerrshëm që kanë bërë afro amerikanët, e për fat të keq është duke u bërë popullor edhe jashtë nesh. Me Jazz-in kanë krijuar një nga shprehjet kulturore më të mira në botë dhe nuk kuptoj se pse ia kanë kthyer shpinën. I njëjti diskutim vlen edhe për librat e Harry Potter, për të cilin jam lodhur së debatuari : shpresoj që historia të më japë të drejtë, e në të ardhmen fëmijët të kthehen për ta lexuar Alice të Lewis Carroll. Nuk dua të kthehem që të flas për autorët popullor si Stephen King. E keqja duket fitimtare.
• Antologjia jote ndalon më 1899, pas këtij viti nuk ka pasur më poezi?
• Përkundrazi, ka pasur shumë; nga Elizabeth Bishop tek afroamerikani Jay Wright. Veçse problemi është se poezia sot diskutohet mbi baza politike, ideologjike, ngjyra e lëkurës e tendencat seksuale të autorit. Nëse nuk do ta kisha shmangur Nëntëqindtën, të gjithë do të më kishin kritikuar pse nuk e kisha vënë filanin, këtë apo atë, për arsye krejt personale e jo për vlerat e krijimeve të tij. Për këtë kam parapëlqyer ta shmang edhe pse është një dëm i madh.
• Cilat janë karakteristikat që e bëjnë një poezi të madhe?
• Forca e njohjes, meritat estetike e dituria. Kjo, për arsye, se tek e fundit nga letërsia të gjithë shpresojmë se kemi fituar diçka në termin e diturisë.
• Ju shkruani se një lirikë e madhe duhet të trashendojë vërtetë kohën e saj: Si i bëhet që ta njohë këtë lexuesi?
• Marrim Montale. Me qartësi poezitë e tij thonë gjithçka mbi atë që përcakton të jetuarit në epokën e fashizmit e të nazizmit, e megjithëkëtë kanë një gjenialitet trashendent. Letërsia gjashtërrokëshe e Dantes ose e Petrarkës nuk vdes kurrë, sepse kohë pas kohe na mëson diçka të re. Besoj se e kam lexuar i Promessi Sposi mbi 25 herë e nuk më ka mërzitur kurrë: Manzoni është autori më i nënvleftësuar në botën anglosakone, e pra ai meriton të renditet ndër dhjetë shkrimtarët më të mirë të shekullit të tij.
• Kush tjetër të pëlqen nga tradita italiane?
• Listë e gjatë dhe e vështirë. Dante, Petrarca, pa të cilët nuk do të ekzistonte një pjesë e madhe e letërsisë angleze, Tasso, Boiardo, Ariosto, Sannazzaro, Leopardi, Foscolo, Montale, Ungaretti, Saba, Quasimodo, Dino Campana e tashmë folëm për Manzonin. Nëse do të heshtni së lexuari këta autorë, siç dëgjoj të thuhet, bëni një veprim vandal, një tragjedi kulturore.
• Në antologjinë tuaj i keni kushtuar Shekspirit (Shakespeare) vetëm dy faqe koment. Pse?
• Është e pranueshme se kam thënë gjithçka te Shekspiri. “Zbulimin e njeriut”. Kam pëlqyer t’i lë hapësirë teksteve të tij.
• Por keni shkruar se, mbase, Tolstoi e kritikonte nga zilia.
• Tolstoi është një autor i madh, që zotëronte aftësinë të bënte të dëgjueshëm zërin e natyrës në veprat e tija. Në këtë pikë vetëm Shekspiri ishte më i zoti se ai e, mbase, për këtë arsye e kam nënvizuar, konkretisht te “Mbreti Lir” në veçanti. Dhe mendoni që me atë vdekjen në stacionin e trenit, duke u larguar nga familja, Tolstoi ka bërë pikërisht fundin e Lirit.
• Ju digjni Edgar Allan Poe dhe Ezra Pound, ndërsa promovoni Uollt Uitmanin (Walt Whitman) si poetin më të mirë amerikan. Pse?
• Edhe më tepër. Sipas meje, Uitman është poeti më i mirë që ka krijuar Bota e Re. Është demokrat dhe i hapur, por në të njëjtën kohë edhe kompleks e novativ. Ka shpikur gjuhën moderne të poezisë amerikane. Si Manzoni për Italinë, me romanin e tij pjellor. Gjininë e letërsisë që duhet ta kemi në kujtesë për të kuruar dhunën e për të ndaluar rënien.
Përgatiti: Ndue Gjika /Revistaletrare /KultPlus.com