27 Janar, 2020 - 8:56 am
Sheindi Miller-Ehrenwald jeton në Izrael. Nuk ishte gjithmonë kështu. Në pranverën e vitit 1944, atëherë 14-vjeçare, u dërgua nga nazistët në kampin e përqendrimit Auschvitz -Birkenau. U ngarkua me punë të vështira. Familja iu vra. Vajza shkroi ato që i përjetoi në ditar, duke rrezikuar jetën e saj.
”Jam në gjendje vetëm sot, që t’ia them botës historinë time”, thotë 90-vjeçarja. “Së shpejti do të vdes dhe nuk dua që njerëzit që u vranë atje të harrohen”. Sot, 75-vjet pas çlirimit të Auschvitzit-Birkenau, Sheindi Miller-Ehrenwald është një nga të mbijetuarit e fundit të Holokaustit. Dëshmitë e saj në 54 faqe, ku ajo shpalos për tmerret që kanë përjetuar ajo dhe familja e saj, do të publikohen tek tani.
Fati tragjik i familjes së saj – dhe i qindra mijëra hebrenjve të tjerë – erdhi pas pushtimit të Hungarisë nga forcat gjermane naziste më 19 mars 1944; qyteti i vogël Galanta, ku jetoi Ehrenwalds (dhe që tani i përket Sllovakisë) u pushtua gjithashtu.
Si pasojë, hebrenjtë u persekutuan, nuk gëzonin asnjë të drejtë, jetuan në geto dhe u internuan në kampet vdekjeprurëse naziste.
Për shembull, Miller-Ehrenwald në ditën e dëbimit të saj në qershor të vitit 1944: shkruan: “Ne po i paketojmë gjërat. Të gjithë kanë diçka në duart e tyre. Nxitoni, nxitoni. Gjithçka duhet të dalë nga banesa … Dera përplaset dhe mbyllet. Unë dëgjoj çelësat në bravë … Një copë e zemrës sime është thyer”.
Galanta, një qytet me 4 mijë banorë afër kufirit austriak, kishte një komunitet me rreth 1 mijë e 200 hebrenj, në mesin e tyre edhe familja e Sheindi Miller-Ehrenwald. Qyteti i vogël deri në fund të Luftës së Parë Botërore i përkiste Austro-Hungarisë, e nga viti 1920 Çekosllovakisë dhe prej 1938-s sërish Hungarisë, dhe familja e saj fliste hungarisht, gjermanisht dhe sllovakisht.
Babai i saj, Leopold (54 vjeç në kohën e dëbimit) kishte një dyqan verërash; nëna e saj, Cecilia, asokohe 50 vjeçe, e ndihmonte në biznes. Sheindi Miller-Ehrenwald ishte fëmija i dytë më i vogël. Motrat e saj Jitti (20) dhe Dori (12), si dhe vëllezërit e saj Rüvi (25) dhe Beri (17), po ashtu jetonin në shtëpinë e familjes. Dy vëllezërit më të mëdhenj po luftonin në frontin lindor.
Vendosur në vagonin për bagëti, familja u transportua në Auschvitz- Birkenau. Përmes procesit të përzgjedhjes naziste, gjyshërit, prindërit e saj dhe disa nga motrat e saj u dërguan në dhomat e gazit.
Sheindi Miller-Ehrenwald u detyrua që të punonte në një fabrikë armësh në Silesia të poshtme. Gjatë gjithë kohës, ajo mbante me vete faqet e ditarit të saj – vetëm copa letre të bëra duq.
Në fabrikën e armëve “Karl Diehl” në Peterwaldau afër Breslau, fleta të hedhura shënimesh përdori për të krijuar ditarin e saj. Arriti të mbante të fshehura shënimet e saj derisa u lirua në maj të vitit 1945.
Sheindi, motra e saj Jitti dhe vëllai i saj Jezeziel ishin të mbijetuarit e vetëm të familjes së tyre.
Ekspozita që zbuloi për herë të parë dëshmitë personale të Sheindi Ehrenwald për persekutimin, dëbimin dhe asgjësimin e hebrenjve hungarezë prej 23 janarit zë vend në Muzeun Historik të Gjermanisë në Berlin. Me titullin “Deported to Auschwitz – Sheindi Ehrenwald’s Notes” (E deportuar në Auschwitz – Shënimet e Sheindi Ehrenwaldit) e organizuar në bashkëpunim me botuesin “Axel Springer”, do të mbetet si pjesë e ekspozitës së përhershme. /DW/ /KultPlus.com