28 Janar, 2020 - 2:11 pm
‘
Njëra ndër tragjeditë më të mëdha që ka njohur historia e njerëzimit, është ajo e Luftës së Dytë Botërore, ku mbi 6 milion hebrenj humbën jetën, në mënyrën më tragjike të mundshme, shkruan KultPlus.
Ditën e djeshme u shënua Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe sigurisht se edhe në Kosovë u mbajtën aktivitete të ndryshme për të rritur vetëdijesimin rreth Holokaustit dhe sigurisht edhe rreth racizmit që vazhdon të jetë i pranishëm edhe këto ditë.
Ndërkaq, mbrëmë në sallën e Teatrit Kombëtar, u shfaq premiera e filmit dokumentar ”Përqafimi i fatit”, dokumentar ky që ishte realizuar nën regjinë e Jakov Sedlar.
Para se të fillonte dokumentari, fjalën e mori regjisori i filmit i cili falënderonte të pranishmit për ardhjen e tyre duke ju dërguar përshëndetjet më të ngrohta nga populli kroat. Ai shprehej shumë i kënaqur për faktin se populli shqiptar u kishte hapur dyert popullit hebrenj në periudhën më të vështirë të tyre.
”Jam shumë i lumtur që në këtë ditë ndodhem këtu në Prishtinë. Jam shumë krenar që sonte do të shpalosim raportin që shqiptarët kanë pasur me hebrenjtë, jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë por edhe ata të Kosovës. Ajo çka populli shqiptar ka bërë për hebrenjtë para dhe pas luftës së dytë botërore, me të vërtetë ka qenë e mahnitshme dhe e paharrueshme”, deklaroi Jakov Sedlar.
Pas regjisorit, fjalën e mori Amit Roz, një regjisor ky i cili kishte dhënë një ndihmë të madhe në realizimin e këtij dokumentari. Ndihmë kjo që nuk ishte e rastësishme, pasiqë Roz, djali i dy prindërve polakë të cilët e kishin përjetuar Luftën e Dytë Botërore, ishte thellësisht i prekur nga akti i shqiptarëve.
Amit Roz shprehej se e njihte mjaft mirë ”Besën” dhe ”Kanunin” e popullit shqiptar dhe se kjo gjë e mahniste atë, duke u bërë kështu një ndër të parët regjisor që ka trajtuar këto dy cilësi të popullit shqiptar në raport me hebrenjtë e Jerusalemit.
Roz, ndër të tjerash tregoi se ka pasur dëshirë qysh moti të falënderonte shqiptarët për ndihmën e dhënë, mirëpo kjo gjë iu pamundësua si pasojë e regjimit komunist të asaj kohe.
”Mahnitem se si asnjë hebrej nuk u vra në Shqipëri dhe ky është i vetmi vend në kontinentin e Evropës që nuk ka lejuar të ndodhë një gjë e tillë”, deklaroi ai.
Pas këtyre dy fjalimeve të shkurtra që u përcjellën me duartrokitje të mëdha nga publiku i pranishëm, filloi dokumentari i shumëpritur.
”Përqafimi i fatit”, shpaloste shumë informacione si raportet në mes shqiptarëve dhe hebrenjve jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por qysh në fillet e para të vendosjes së hebrenjve në tokat shqiptare, trajtimin e hebrenjve nga shqiptarët, punët që ata bënin, mbrojtjen që e morën saherë që ishte e nevojshme nga shqiptarët etj.
Kryesisht ky dokumentar shfaqte vazhdimisht kontributin e madh që shqiptarët kanë dhënë ndaj popullit hebre, si pasojë e Besës dhe Kanunit që konsiderohen të jenë virtytet më të mëdha të popullit tonë.
Pjesëmarrës në këtë dokumentar ishin edhe shumë fytyra të njohura për publikun shqiptarë, si Edi Rama, Princi Leka II, Votim Demiri etj.
”Përqafimi i fatit” i fali shumë emocione publikut, duke iu rikujtuar edhe njëherë se populli shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një popull me zemër të madhe. / KultPlus.com