13 Shkurt, 2020 - 9:35 pm
Në ambientet e Aleancës Franceze, Vlera Kastrati promovoi videoklipin e këngës ‘Paris’, këngë kjo që është realizuar me mbështetjen e Ambasadës Franceze në Kosovë, shkruan KultPlus.
Vlera Kastrati në vitin 2019 ka publikuar kujtimet e saj personale në librin ”Anatomia e shpirtit të një gruaje kosovare”, të cilit ia ka bashkangjitur edhe tetë këngë origjinale të kompozuara nga vetë ajo. Ndërkaq sonte ajo shpalosi më shumë rreth procesit të krijimit artistik të këtyre këngëve si dhe xhirimit të videoklipit.
Për KultPlus, Vlera tregoi se realizimi i videoklipit ka marrë ca kohë dhe se xhirimet kanë filluar në muajin shtator të vitit të kaluar. ”Insprimi im për këtë këngë ka filluar shumë kohë më parë por në të vërtetë ka lindur kur kam filluar të shkruaj librin autobiografik ku kam përshkruar një periudhë tre mujorëshe në Paris ku pata shkuar të provoj të këndoj dhe u ktheva pa pasur mundësi. Tani pas shumë vites u riktheva për të kënduar e xhiruar një këngë në frangjisht në qytetin ku edhe gjeta guximin të këndoj.”, deklaroi ajo për KultPlus.
Siç dihet edhe nga titulli, kënga i kushtohet pikërisht qytetit të bukur të Parisit, këngë kjo që është krijim i vetë Kastratit, e cila gjendet para këtij projekti në një rol të dyfishtë, të kantautores dhe performueses. Ndërsa, aranzhimi ishtë i bërë nga mjeshtri i shquar italian i Jazz-it, Amadeo Tommasi.
Pasioni i madh që këngëtarja ka për udhëtimin dhe njohjen e kulturave të ndryshme, ka bërë që ky videoklip dhe kjo këngë të jetë mjaft e veçantë.
‘Paris’ jo rastësisht është xhiruar në rrugët e ‘Montmartre’. Kastrati tregon se pikërisht në këto rrugë ka ecur kur ka mednuar se nuk do të ketë mundësi asnjëherë të realizoj ëndërrën dhe dashurinë e madhe që ka për muzikën. ”Kur do e nuk dorëzohesh gjithmonë hapen rrugët edhe kur ato nuk duken fare”, shprehet Kastrati.
Kastrati poashtu deklaron se këtë këngë ua ka kushtuar ëndërrimtarëve të guzimshëm.
Ndër të tjera, këngëtarja tregonte për publikun se ekipi me të cilin ka punuar janë angazhuar shumë në gjetjen e rrugës më të përshtatshme për realizimin e videoklipit të saj , duke i dërguar asaj fotografi të shumta të rrugës në të cilën do të xhironte videoklipin e saj.
Kastrati poashtu potencoi se ka në plan të realizoj edhe videoklipin e një këngë që trajton temën e luftës së fundit në Kosovë, mirëpo nuk dha ndonjë datë të caktuar se kur pritet të lansohet ky videoklip.
Pas përfundimit të promovimit, të pranishmit uruan Vlera Kastratin për videoklipin e saj, për të vazhduar më pas me një koktej rasti. / KultPlus.com