23 Tetor, 2017 - 1:58 pm
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Muzeut të Artit Bashkëkohor në Beograd, me ftesë të Ministrit të Kulturës dhe Informimit të Republikës së Serbisë Vladan Vukosavljević.
Ministrja Kumbaro u prit nga drejtori i Muzeut të Artit Bashkëkohor, Slobodan Nakarada dhe Dejan Sretenović, koncept ideuesi I MAB, të cilët e shoqëruar përgjatë vizitës në MAB, shkruan gazeta shqip.
Ministrja Kumbaro zhvilloi takime me homologun serb dhe atë maqedonas, Robert Alogjozovski, ku u diskutua për një bashkëpunim intensiv me vendet e rajonit në fushën e artit dhe kulturës. Në fjalën e tij Ministri Vukosavljević theksoi se kultura po lidh dhe po lejon njerëzit të kuptohen më mirë dhe ata, artistët, përfaqësojnë “një melodi që dëgjohet mbi zhurmën e jetës së përditshme”.
Kumbaro i tha agjencisë së lajmeve Tanjug se Muzeu i Artit Bashkëkohor “Nuk është vetëm një muze i ri, apo një muze i rinovuar, por një vend pa kufij. Arti dhe kultura janë hapësira që duhet të ndërtojnë ura, pavarësisht nga vendi apo ngjyra e pasaportës”./KultPlus.com