23 Shkurt, 2020 - 10:55 am
Ditëve të fundit u demantua lajmi se Xhamajka e ka njohur shtetin e Kosovës, informacion ky për të cilin presidenti i Kosovës Hashim Thaqi, deklaroi ta ketë marrë nga Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku, shkruan KultPlus.
Politikanë e qytetarë të thjeshtë reaguan ndaj këtij lajmi në mënyra të ndryshme, duke kërkuar ndëshkimin e personave përgjegjës për këtë lajm të rremë.
Çitaku ka thyer heshtjen përmes nja statusi në llogarinë e saj personale në Facebook, ku ka sqaruar më në detaje situatën.
Ndër të tjera, Çitaku ka potencuar se të gjitha do të sqarohen me kohë.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Çitakut.
”Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës.
Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.
Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamajka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje.
Çdo gjë do të sqarohet me kohë.
Zv Kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nder tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem.
Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale.
Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik.
E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime.” / KultPlus.com