4 Mars, 2020 - 6:30 pm
Nga Jeton Neziraj
a.y.l.a.n***
Ai luan me valët e detit
si me lodrat që i kishte lënë mbrapa në shtëpinë e tij në Kobanî
deti e përkundë varkën dhe kjo i duket argëtuese
si atëherë kur gjyshi e përkundte me këmbët e tija të shtrira
nën hijen e drurit të portokallit
në shtëpinë e tyre, që tash më nuk ekziston
uji i detit i përplaset fytyrës furishëm
e ia lanë pluhurin që i ishte ngjitur
kur po vraponin rrugicave të qytetit të Bodrumit
për ta kapur varkën, larg syve të policve turq
Aylan Kurdi nuk ka frikë nga deti
as nga valët, as nga kripa që i ngjitet faqeve të njoma
Babai i tij, Abdullahu, ia shtrëngon dorën
pastaj e shtrëngon fort për gjoksi
nuk të lë, kurr, nuk të lë, i thotë
e varka tundet sërish
edhe më fuqishëm
Aylan rrëshqet nga gjoksi i qullur i babait Abdullah
por ai e ofron ngat vehtes, me më shumë forcë
kurr, kurr nuk të lë, bir
dhe varka ecë, mbi valët e detit të trazuar
Aylan mendon për lodrat e veta që ka lënë në Kobane
mendon për supermenin e tij të plastikës
për të cilin besonte, se kishte fuqi të mbinatyrshme
dhe shpëtonte njerëzit, kur ata ishin në nevojë
Aylan Kurdi nuk ka frikë,
ai nuk pat frikë atë natë kur baba ii tij, Abdullahu
e kapi nga shtrati i tij i ngrohtë
e mbështolli me një batanije dhe u nisën në terr
mbrapa ai pa flakët e qytetit që po digjej
dëgjoi britmat e njerëzve që largoheshin
por Aylan besonte se atje, diku
është një supermen që shpëton njerëzit
dhe që shkymë flakët që po e përbinin qytetin
babait Abdullah i rrah zemra fortë
ai i lutet detit, i kërkon mëshirë
por deti i trazuar ka një kusht
për varkën, që duhet të dal në stom
ma falni një jetë, vetëm një jetë, thotë deti
një jetë të njomë
dhe ju mund ta prekni tokën
jo tokën e Kobanës, të larë me gjak
por atë të shpresës,
ku jetës mund t’ia nisni përsëri
Abdullahut i jan shtjerrur forcat
sytë i janë mjegulluar nga uji i kriposur i detit
nuk sheh dhe as dëgjon
nuk e sheh as valën e madhe të detit
që sërish ngritet, kërcënueshëm
dhe godet barkën
e dora e vogël e Aylan rrëshqet nga dora e baba Abdullahut
rrëshqet
rrëshqet përgjithmonë
dhe asnjë supermen nuk gjendet aty afër
për ta nxjerrë nga valët e detit
e për t’ia kthyer në gjoksin e lagur të baba Abdullahut
***
Aylan Kurdi, tre vjecarë, fëmijë kurd i Sirisë, u gjet i mbytur në detin Mediteran me 2 shtator 2015. Ai dhe familja e tij ishin refugjatë sirian që po bënin përpjekje të vinin në Evropë, për t’i ikur luftës.
***
***nga Jeton Neziraj / skena e fundit e shfaqjes ‘a.y.l.a.n’, e realizuar nga Teatri i Qytetit Gjilan, në dhjetor të vitit të shkuar, me regji të Blerta Nezirajt. /