14 Mars, 2020 - 9:00 pm
Edhe kultura iu është përshtatur mjeteve të reja të teknologjisë, që në momente si këto, të përhapjes së koronavirusit të ri, vijnë më shumë se kurrë në shërbim të qytetarëve. Kështu, Kultura vjen pranë jush nëpërmjet teknologjisë.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi ndodhet në Shkodër, por të gjithë qytetarët mund ta vizitojmë atë nga shtëpitë e tyre përmes tureve virtuale të Ministrisë së Kulturës.
Muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, si dhe një nga më të pasurit në rajonin e Ballkanit, që daton nga një periudhë kohore nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Më 9 maj 2016, muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” u përurua së bashku me koleksionin e Bibliotekës së Fotografive. Muzeu i ri është një prej trashëgimive më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasi ai dëshmon për më shumë se një shekull të historisë dhe hedh dritë mbi momente, njerëz dhe ngjarje të rëndësishme që shërbejnë si një pasaportë thelbësore për kulturën shqiptare. /Atsh /KultPlus.com