17 Mars, 2020 - 8:28 pm
Virusi kinez, Coronavirusi, ka izoluar pjesën dërmuese të shteteve dhe pjesë e izolimit tashmë është edhe Kosova, pavarësisht se jo në nivelet më ekstreme. Për ata që izolimin duan ta kalojnë duke lexuar ndonjë libër, KultPlus ju sjell rekomandimin e mbrëmjes në ‘epokën e coronavirusit’, dhe ky libër është “Procesi” nga Franc Kafka, shkruan KultPlus.com
“Procesi” është romani më i njohur dhe më i realizuar i shkrimtarit çek, Franc Kafka, i botuar në Berlin më 1926,dy vjet pas vdekjes së tij. Në analizën e romanit “Procesi”, vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mirë për to.
Për arsye se Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlerë në veprën e tij, personazhi përgjithësisht është njeriu i rëndomtë, jo heroi që bën diferencën, Portalb ua rekomandoni ta lexoni këtë roman të mrekullueshëm me plot mistere.
Maks Brod, një miku i tij që përgatiti librin për botim për librin në fjalë ka thënë: “Kur mora dorëshkrimin e “Procesit” e lexova me një frymë. Nuk kishte titull, por Kafka kështu e quante sa herë binte fjala për të. Këtë libër vetë Kafka e quante papërfunduar, pavarësisht se e kishte kreun e fundit. Ai mendonte se duhej të shtonte disa anë të tjera të atij procesi misterioz. Por megjithatë, po mos ta dija se Kafka ka pasur ndërmend ta vijonte punën me këtë roman,unë nuk do të gjeja asnjë mangësi në të”.
Romani flet për një qytetar të rëndomtë, nëpunës banke nga një qytet i panjohur, të cilin një mëngjes e arrestojnë dy policë, pa ndonjë arsye, për një krim që nuk i tregohet as atij dhe as lexuesit.
Në personazhin e “Proces”-it zotit “K.”, sistemi gjigant i pushtetit i bën grafikun e jetës pa e shpjeguar se për se e trajton ashtu. Nga ana tjetër kjo mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë zoti “K.” nuk ka aftësinë për të kuptuar sistemin megjithëse përpiqet që të kuptojë diçka, përsëri është i mbytur në paqartësi.
Gjatë kësaj kohe njihet me “mjegullinë” e gjykatave, absurdin, hierarkinë e posteve jo vetëm në gjykatë, por dhe në jetën e mirëfilltë.
Atëherë ai imagjinon marifete nga më të dëshpëruarat, që zbulojnë para tij ingranazhe të pakuptueshme dhe mbytëse. Duke mos ditur kujt t’i besojë dhe ku të kapet, ai ulet vetë të përpilojë mbrojtjen e vet, në të cilën kërkon falje për çdo gjë që ka bërë, duke firmosur kështu aktin e fajësisë dhe dënimin e vet.
“Procesi” i Kafkës është një ortek, që sa me shumë thellohesh aq më i madh bëhet deri sa orteku është vetë globi që banojmë. / KultPlus.com