27 Tetor, 2017 - 2:55 pm
Propozimi i Kosovës për Oscars – ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli do të shfaqet në dy festivale të kategorisë ‘A’ në nëntor të këtij viti, përcjellë KultPlus.
Filmi do të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Indi, Goa, dhe në Festivalin Ndërkombëtar në Kairo të Egjiptit.
Ky është edicioni i 48-të i festivalit ndërkombëtar të filmit në Indi, Goa dhe konsiderohet si një ndër festivalet më të rëndësishme në Azi ndërsa Festivali Ndërkombëtar në Kairo mbanë edicionin e 39-të sivjet dhe është festivali më i vjetër në Arabi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
‘T’padashtun’ është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën. Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.
Filmi do të shfaqet edhe në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mannheim-Heidelberg në Gjermani, festival ky i njohur për prezantimin e regjisorëve debutant përpara publikut gjerman ku do të jetë në konkurrencë ndërkombëtare pastaj në festivalin Cinedays në Maqedoni në konkurrencën Cinebalkan dhe në TIFF të Shqipërisë në konkurrencën ndërkombëtare. / KultPlus.com