19 Mars, 2020 - 9:30 pm
Shkruan: Vlora Konushevci
Letër nga karantina
S’po muj me i duru ma teshat e ngushta
nanë, as mendjet e ngushta,
e kam kalu mëngjesin tu i heq pluhnat
me nji leckë që binte
erë mjalte. T’kish qenë e dielë kisha dalë
n’Gërmi, e kisha kry edhe pazarin
por asht ditë pune, n’muzeun e andrrave
t’ngrime.
Qyteti po lahet n’klithmat e plogështa
të qeverisë për mos me u përpjekë me njani-tjetrin,
me nejt përskunroj e me dalë jo pa nevojë.
Sot pranvera ka ardhë,
dita ma e gjatë e vitit asht.
Bota po përballet me murtajë,
tragjedi taman në kuptimin Grek.
Tezja Emine ish dekë
s’kam mujt as me shku me pa.
Po të ikin copat nanë
plotë shkëlqim si me kanë
t’filigranume. Asht veç nji ditë pune
sot, e enjte mas nji përvjetori të zymtë.
Breza të tanë që i mbijetuen luftës,
kampeve, urisë, gjenocidit shpëtuen
për t’u përball sot jo veç me pandeminë
por edhe me veten, me monstruozitetin
e prodhuem përmes lirisë së zgjedhjes.
Asnji të mirë tokësore
s’ja falëm botës! I falëm veç vaj, heshtje dhe ikje
si fund i terruem prej hinit t’flakëve
që ja vumë vetes.