19 Mars, 2020 - 11:30 pm
Njerëz në mbarë Kosovën dolën nëpër ballkonet e tyre duke i goditur tenxheret në shenjë proteste për të kërkuar nga partitë udhëheqëse që të merren me koronavirusin dhe t’i japin fund krizës politike e cila mund të rrëzojë qeverinë javën e ardhshme.
Partneri i koalicionit në qeverinë e Kosovës tha të mërkurën se do të iniciojë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm si pasojë e një mosmarrëveshjeje për të shpallur apo jo gjendjen e jashtëzakonshme për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Isa Mustafa, lider i LDK-së, tha se shkarkimi ishte kulmi i dallimeve mes partnerëve të koalicionit për heqjen apo jo të taksës ndaj mallrave serbe.
“Atyre po u interesojnë punët e veta. Nuk është koha për hakmarrje, duhet të kujdesen për popullin”, tha Gazmend Vokshi, 60-vjeç, arkitekt, raporton Reuters.
“Nëse vazhdojnë kështu (politikanët), s’do të kenë kohë për t’u kujdesur për ne dhe do të ketë shumë viktima”, tha Naim Miftari, 34-vjeç, transmeton KOHA.
Në Kosovë janë regjistruar 21 raste me virusin që nga e premtja e kaluar kur u regjistruan rastet e para.
Tashmë shkollat, kufijtë, fluturimet, kafenetë dhe restorantet janë mbyllur. Vetëm supermarketet dhe barnatoret janë të hapura.
Shumica e të prekurve me koronavirus në Kosovë kanë ardhur nga Italia apo janë në lidhje familjare me dikë që është kthyer nga Italia.