30 Mars, 2020 - 10:00 am
Me këtë frazë Ernest Heminguej na bën thirrje të mos dorëzohemi, edhe kur pengesat që jeta vë para nesh duken të pakapërcyeshme. Shprehja e sotme është marrë nga romani “Plaku dhe deti” i Ernest Heminguejit, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XX. “Tani nuk është koha të mendoni për ato që nuk keni. Mendoni se çfarë mund të bëni me atë që keni”./
Ernest Heminguej, shkrimtari në frontin e jetës. Autor i romanit më të rëndësishëm për Luftën e Parë Botërore: “Lamtumirë armë”, amerikani Ernest Heminguej ka hedhur mbi vete mitin e shkrimtarit-hero, duke u shndërruar në një nga romancierët më të famshëm të shekullit XX. Jeta e tij qe një rrugëtim i kaluar në frontet e luftës, në dyluftime demash, nëpër ekspedita gjuetie, një pjesë e mirë ritreguar përmes një gjuhe esenciale. Ndër sukseset e tij më të mëdha citojmë romanin “Plaku dhe deti” i qendërzuar në marrëdhëniet midis qenies njerëzore dhe natyrës, i cili i dha çmimin “Nobel” për Letërsi në 1954. Është momenti i triumfit të tij më të madh, mirëpo për shkrimtarin hapet faza e fundit e krizës ekzistenciale, e cila e çoi drejt përkeqësimit me alkoolizmin dhe, më në fund, në vitin 1961, në vetëvrasje.
Goditja përfundimtare u mundëson përfytyruesve të parashikojnë zona të errëta atje ku gjithçka ngjan e shndritshme, kurse moralistëve të përkulen para kuptimit të kësaj sfide të fundit. Megjithatë, duhet thënë se ishte shumë i zgjuar; ai e pranonte personazhin, nuk i gjente justifikime bizantine, nuk vinte shumë në dukje ndonjëherë anën karikaturë dhe, në çastet e padurimit, parapëlqente të vepronte sikur të kishte dëshirën e fshehtë për të kaluar caqet e saj dhe, shkurtimisht, të ishte i pabesë. Madje, ndonjëherë i ndodhte të tregonte edhe një farë bashkëfajësie: në ato çaste, ai ishte një lloj Heminguei në katror, ekzibicionist dhe i gëzuar, ndoshta jo edhe pa ndonjë fije tërbimi.
Gjatë një rrëfimi njëherësh fisnik dhe të pikëlluar, ai i shprehet Kurt Singer: “Gjithë shoqëria është si në ring. Mund të mbijetosh vetëm nëse i kthen goditjet dhe unë jam gjithmonë gati, për t’i veshur dorezat e boksit. Sigurisht, që ende merrem me boks. Do të luftoja deri në ditën e fundit dhe, atë ditë, do të luftoja kundër vetvetes, për ta pranuar vdekjen si diçka të bukur, të njëjtën bukuri që shohim të diel pas të diele, në arena. Kur të dorëzohem, turma do të më sodisë me të njëjtin interes mospërfillës si putanat, kur ato sodisin demin”. / Konica.al
Nëse do të dëshironim me çdo kusht të kërkonim çelësin e qëndrimit në këto fjalë, nuk do zbulonim tjetër veç temës së vetmisë së lavdishme, të pathyeshmërisë, të shembullit që i jep njerëzimit mahnitës, të betejës së nevojshme, burrëri, sfidës ndaj vdekjes. Nuk duhet të mashtrohemi: gjithmonë drejt kësaj teme kthehet biseda e Hemingueit, si në një parabolë të përjetshme, me gjithë mijëra variantet e tij.
“Plaku dhe deti”
Pas tetëdhjetë e katër ditësh, gjatë së cilës ai nuk qe në gjendje të kapte gjë, plaku Santiago gjen forcën të rikthehet në det: kjo përpjekje e re peshkimi ripërtërin përgatitjen e tij si peshkatar dhe vulos fillimin simbolik. Në gjuetinë e dëshpëruar me një peshk shpatë të madh në Karaibe, në një betejë me duar gati të zhveshura kundër peshkaqenëve, që njëri pas tjetrit i rrëmbejnë në të njëjtën kohë një copë nga gjahu i tij, duke i lënë vetëm simbolin e fitores dhe mallkimin përfundimisht të mposhtur. Santiago krijon, ndoshta për herë të parë, një miqësi të vërtetë me forcat e papërmbajtshme të natyrës. Dhe mbi të gjitha gjen brenda vetes shenjën dhe praninë e guximit të vet, arsyetimin e një jete të tërë. Kush më mirë se Santiago refuzon të dallojë fitoren nga disfata, triumfin nga dështimi, këto dy gjendje shpirtërore të cilat, si në jetë ashtu edhe në të shkruar, Heminguei është mishërimi vetë? Shkrimtari, me të arritur njëfarë lartësie dhe njëfarë dhuntie te vetvetja, përfundon duke u bërë një trup i vetëm me veprën: ai e vazhdon, merr përgjegjësitë, merr frymë njëherazi me të. Që të dy janë, në përfytyrim si në arsyetim, gjithnjë e më shumë të pazbërthyeshëm./Konica.al / KultPlus.com