30 Mars, 2020 - 12:08 pm
Në këto ditë izolimi ku e gjithë bota po përballet me virusin Covid-19, mënyra më e mirë për t’i kaluar ditët është përmes artit. Muzika, piktura, leximi e filmi, janë vetëm disa nga artet që i bëjnë më të lehta këto ditë, shkruan KultPlus.
Kemi dëgjuar kënga nga më të ndryshmet duke u kënduar nga ballkoni apo në ndonjë ambient shtëpie, kemi parë libra e filma nga më të ndryshmet teksa propozohen për lexim, por artisti Asdren Spahija ka vendosur që këto 13 ditë izolimi të ja kushtoi nipit të tij.
Me artin e tij, në një nga muret e shtëpisë ai ka vendosur të realizojë një mural me personazhet e preferuara të nipit.
Personazhet e përrallës së njohur për fëmijë “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët” në gërshetim të disa përrallave të Disney, si: Bambi, Liza në botën e çudirave, Sirena e vogël, Pitër Pan e Pinoku, janë jetësuar në murin e shtëpisë së artistit, duke i dhënë kështu ambientit një pamje plot jetë. Kjo padyshim që do ta bëjë më të bukur botën e fëmijës që ka disa ditë që është izoluar bashkë me gjithë familjen.
“Në këto ditë të vështira të izolimit, po tentojmë që në shtëpinë tonë të ia bëjmë nipit tim 2 vjeçar ambientin e shtëpisë sa më atraktiv. Ky është një mural i realizuar nga unë në këto 13 ditët e fundit në izolim dhe i kam pikturuar personazhet e tij të preferuar”, ka thënë Asdreni për KultPlus.
Procesin e punës, nga fillimi deri në fund, Asdreni është përkujdesur ta incizoj e ku pas përfundimit e ka publikuar në YouTube.
Për të parë punën e Asdrenit në vazhdimësi ju mund ta ndiqni atë në rrjetin e tij social Instagram. / KultPlus.com