31 Mars, 2020 - 1:45 pm
Ylli i kinematografisë, John Krasinski, po i kërkon botës ta ndihmojë në prodhimin e emisionit të tij të ri në YouTube, të titulluar “Some Good News”.
Së fundmi, aktori dhe regjisori i njohur amerikan i kërkoi ndjekësve të tij në rrjetet sociale, që t’i dërgojnë tregime të mira të cilat më pas ai i shndërroi në një program të realizuar nga shtëpia, të shoqëruar me një logo të krijuar nga vajzat e tij, transmeton Koha.
Skenaristi, regjisori dhe aktori i filmit “Quiet Place” e hapi shoun e ri në YouTube, duke thënë: “pse nuk ekziston një emision i cili në tërësi i dedikohet lajmeve të mira?”. Tutje ai tha se të gjithë ne po kalojmë nëpër një periudhë të vështirë dhe sfiduese, por shpirti njerëzorë nuk duhet thyer asnjëherë. Dhe me një fjali të vetme, Krasniski i cili pëlqehet tej mase nga publiku mbarëbotëror, na bëri ta duam atë edhe më shumë.
Episodi i parë i emisionit përfshiu tregime të cilat fansat i kishin dërguar përmes hashtagut “#somegoodnews”, dhe ku shiheshin njerëz zemërgjerë duke i ndihmuar të tjerët gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në mes të emisionit, Krasinski e realizoi një lidhje direkte me aktorin e njohur komik, Steve Carell, me të cilin e festoi 15-vjetorin e krijimit të serisë së tyre hit, “The Office”.
Ende nuk është konfirmuar nëse do të realizohet edhe episodi i dytë i këtij programi, por gjasat janë që një gjë e tillë të ndodhë.